Shkup, 8 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot u bëri thirrje të gjithë deputetëve të tregojnë konstruktivitet dhe të punojnë së bashku për miratimin e një ligji më të mirë për përfaqësimin e drejtë, raporton Nezavisen, transmeton Zhurnal.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi paralajmërimet e opozitës se do ta bllokojë ligjin, Gashi theksoi se kjo është një mënyrë për të arritur një ligj më cilësor:
“Mund të debatojmë, të dorëzojmë amendamente, të propozojmë, të thërrasim ekspertë dhe juristë, të përmirësojmë ligjin, jo ta bllokojmë. Nuk mund të mbetemi imunë ndaj zakoneve të së kaluarës. Do të na duhet më shumë kohë për të ndryshuar kulturën politike. I ftoj të gjithë deputetët të punojmë për një ligj më të mirë, jo për bllokadë”, deklaroi Afrim Gashi.
Projektligji për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë është futur për lexim të parë në rendin e ditës të seancës së 104-të të Kuvendit më 10 qershor.
Komisioni Parlamentar për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive javën e kaluar, me nëntë vota “pro”, e miratoi projektligjin si të pranueshëm dhe e dërgoi për shqyrtim të mëtejshëm, duke mbështetur edhe mbajtjen e një debati publik.
Komiteti për Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive më herët, me 11 vota “pro” dhe dy “kundër”, vendosi që ligji të miratohet me “Badenter të vogël”, pra me shumicë votash nga deputetët e pranishëm dhe shumicë votash nga deputetët e bashkësive jomazhoritare. Deputetët e Frontit Evropian dhe të Ligës Shqiptare kërkuan që ligji të miratohet me “Badenter të madh” (shumicë nga numri i përgjithshëm i deputetëve jomazhoritarë), por propozimi i tyre nuk u mbështet.
Qëllimi kryesor i projektligjit është të sigurojë një kornizë ligjore të qartë, precize dhe të zbatueshme për realizimin e parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë të qytetarëve nga të gjitha bashkësitë në organet e pushtetit dhe institucionet publike. Synimi është të garantohet zbatimi i këtij parimi përmes rregullave dhe mekanizmave të qartë, që mundësojnë qasje të barabartë në punësim dhe avancim, si dhe procedura të drejta e transparente në sektorin publik.
Ligji synon të balancojë nevojën për përfaqësim të të gjitha bashkësive me domosdoshmërinë e një administrate profesionale, efikase dhe politikisht neutrale. Ai është në lexim të parë dhe po kalon në procedurë të rregullt, ndërsa para miratimit pritet të zhvillohet debat publik.
Vendimi për “Badenter të vogël” ka hapur debat politik mbi mjaftueshmërinë e kësaj procedure për një ligj që rregullon përfaqësimin e drejtë. Opozita shqiptare paralajmëron se mungojnë kuotat e qarta dhe mekanizmat e kontrollit, duke kujtuar se ky parim është një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërkohë, shumica parlamentare mbron procedurën, duke theksuar se vërejtjet mund të adresohen me amendamente, jo me bllokada.
Projektligji vjen pas shfuqizimit të “balancerit”, mjetit digjital që përdorej për vite me radhë në punësimet në sektorin publik. Logjika e qeverisë është që ligji i ri të zëvendësojë atë mekanizëm me një kornizë më të gjerë ligjore për përfaqësimin e bashkësive.
