Shkencëtarët identifikojnë bakteret që mund të nxisin sklerozën e shumëfishtë

Nga D. V.
417 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Një studim i ri shkencor ka identifikuar, për herë të parë, baktere specifike të zorrëve, që duket se luajnë një rol kyç në zhvillimin e sklerozës së shumëfishtë (MS), një sëmundje autoimune që prek sistemin nervor qendror, sipas “Science Alert”.

Hulumtimi, i kryer nga shkencëtarët e Universitetit të Mynihut “Ludwig Maximilian”, analizoi 81 çifte binjakësh identikë, ku vetëm njëri prej binjakëve ishte diagnostikuar me sklerozë të shumëfishtë.

Ky model studimi u lejoi studiuesve të minimizonin ndikimin e faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë, duke u fokusuar te roli i mikrobiomës së zorrëve.

Rezultatet treguan se dy lloje bakteresh, “Eisenbergiella tayi” dhe “Lachnoclostridium”, ishin dukshëm më të pranishme te binjakët e prekur nga sëmundja.

Për të verifikuar lidhjen shkakësore, studiuesit i transferuan këto mikroorganizma, në modele eksperimentale të minjve.

Sipas gjetjeve, bakteret shkaktuan simptoma autoimune, të ngjashme me ato të sklerozës së shumëfishtë, duke ofruar prova të forta, se ato mund të luajnë një rol të drejtpërdrejtë në nxitjen e sëmundjes.

Ekspertët e konsiderojnë këtë zbulim si identifikimin më të saktë, deri më sot, të faktorëve mikrobialë, që lidhen me sklerozën e shumëfishtë.

Studimi forcon më tej teorinë e njohur si “boshti zorrë-tru”, sipas së cilës mikroorganizmat e zorrëve, mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit imunitar dhe të trurit.

Zbulimi hap perspektiva të reja për diagnostikimin e hershëm, parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes.

Shkencëtarët shpresojnë se në të ardhmen do të jetë e mundur, të ndërhyhet mbi këto baktere ose të modifikohet përbërja e mikrobiomës së zorrëve, përpara shfaqjes së simptomave, duke reduktuar rrezikun e zhvillimit të sklerozës së shumëfishtë.

Studimi u publikua në revistën shkencore “Proceedings of the National Academy of Sciences” (PNAS).

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër