Rama: Zvërneci zonë e kategorisë 5, Vjosa nuk do të preket

Nga D V
802 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 09 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se zona ku do të investohet në Zvërnec ka qenë gjithmonë zonë e kategorisë pesë, ndërsa kujtoi se edhe në standardet europiane ka disa kategori të zonave të mbrojtura ku lejohet dhe ku nuk lejohet zhvillimi.

Në një konferencë për shtyp në selinë e kryeministrisë me gazetarë dhe përfaqësues të medieve nga vendet e Bashkimit Europian, Rama u shpreh se është i gabuar prezumimi që një vendi i duhet të zgjedhë midis natyrës dhe zhvillimit.

“Kjo është ideologji dhe nuk është ajo çfarë thonë praktikat më të mira në këtë botë. Vendit i duhet të gjejë në mënyrë mjaft inteligjente mënyra për t’u siguruar që natyra dhe zhvillimi të bashkëjetojnë dhe të mos i shkojnë përkundër njëra-tjetrës”, tha Rama.

Megjithatë, Rama pranoi se “gjëra mjaft të pakëndshme kanë ndodhur me natyrën në rrugëtimin e zhvillimit në këtë vend”.

“Vendi doli nga komunizmi si vendi më i varfër në Europë, krahasuar madje edhe me ish-vendet komuniste. Ne ishim të izoluar si nga Perëndimi, ashtu dhe nga Lindja. Për 50 vjet ishim të detyruar të ishim një vend ku nuk kishte asnjë pronë private në asnjë mënyrë apo formë”, shtoi Rama.

Ndërkohë Rama tha se Shqipëria është sot një nga vendet me sipërfaqen më të madhe të zonave të mbrojtura.

“Askush nuk mund të më japë leksione mua apo neve për mjedisin, sepse ne hartuam ligjin e parë, hartën e parë të zonave të mbrojtura të Shqipërisë në vitin 2017 dhe të parin regjistër e inventar. Ne e gjetëm Shqipërinë me më pak se 15% të zonave të mbrojtura, ndërsa sot kemi rreth 25% zona të mbrojtura”, shtoi ai.

Rama theksoi se PS erdhi në qeveri me një agjendë shumë të qartë për mjedisin.
“Pra, ne qenkemi rreziku dhe ne e paskemi ndryshuar ligjin hapësirë Jared Kushner që të shkaktërrojë bregdetin tone? Çfarë po thoni? Kjo është gënjeshtër. Në vitin 2024 ne bëmë ndryshime për të specifikuar çfarë lejohet e çfarë nuk lejohet në kategoritë e ndryshme të mbrojtjes. Sepse nuk ka vetëm një kategori mbrojtje edhe në Europë. Në standardet europiane ka disa kategori të zonave të mbrojtura. Është kategoria 1 që nuk preket, thjesht ruhet. Por janë edhe të tjerat. Zona për të cilën flasim ka qenë gjithmonë zonë e kategorisë pesë. Nuk ka aspak të bëjë me Vjosën. Ajo është e mbrojtur, është e paprekshme dhe nuk do të preket”, tha Rama.

Sipas tij, “numri më i madh i arkitektëve më të mirë të botës po punojnë së bashku për këtë projekt”.

“Këtë lloj përqendrimi nuk e gjeni dot në asnjë vend të Europës. Sepse ne duam të bukurën, duam cilësinë, duam që të ndodhin gjëra që e ndryshojnë këtë vend njëherë e mirë”, shtoi Rama.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër