Sejko dhe drejtuesja e CEF diskutojnë zgjerimin e bashkëpunimit në mbikëqyrjen bankare

Nga D V
619 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 09 qershor, Zhurnal.mk – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me drejtoren e Qendrës së Ekselencës Financiare (CEF), me qendër në Lubjanë (Slloveni), Jana Repanšek, e shoqëruar nga Robertina Gjoka Vasilieva, menaxhere për Shqipërinë.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe CEF-it në kuadër të zhvillimit të kapaciteteve profesionale dhe shkëmbimit të njohurive.

Repanšek vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë në aktivitetet e institucionit, duke theksuar se gjatë dy viteve të fundit ekspertët dhe punonjësit e Bankës kanë regjistruar mbi 55 pjesëmarrje në programet kryesore të CEF-it, si në cilësinë e ekspertëve ashtu edhe të pjesëmarrësve. Sipas saj, kjo dëshmon përkushtimin e institucionit ndaj zhvillimit të vazhdueshëm të kapaciteteve dhe shkëmbimit rajonal të njohurive.

Palët diskutuan mbi mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e mbikëqyrjes bankare. Në këtë kontekst, u vlerësua roli aktiv i Bankës së Shqipërisë si kontribuuese në shkëmbimin e përvojave profesionale dhe u diskutua mundësia e organizimit në të ardhmen të aktiviteteve trajnuese dhe shkëmbimit të eksperiencave mes institucioneve homologe në rajon.

Takimi shërbeu gjithashtu për koordinimin e qëndrimeve përpara Mbledhjes Vjetore të Bordit Drejtues të CEF-it, e cila do të zhvillohet më 22 qershor në Shkup.

Në fokus të diskutimeve ishin prioritetet strategjike të CEF-it, sfidat e financimit të aktiviteteve të tij dhe kontributi i vendeve anëtare në vazhdimësinë e mbështetjes ndaj institucionit.

Guvernatori Sejko rikonfirmoi mbështetjen e Bankës së Shqipërisë për misionin e CEF-it në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe promovimin e bashkëpunimit rajonal.
Ai vlerësoi rolin e këtij institucioni në mbështetjen e reformave, zhvillimin profesional dhe shkëmbimin e praktikave më të mira ndërmjet institucioneve publike të rajonit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër