Dimitrovski: Edhe nëse e ndryshojmë Kushtetutën për shkak të bullgarëve, nga Sofja sërish mund të përballemi me veto për shkak të asaj që nënshkroi qeveria e mëparshme

Nga D. V.
980 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 qershor, Zhurnal.mk – Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Zoran Dimitrovski, në një intervistë për MIA-n deklaroi se problemi kyç i vendit për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian është një problem bilateral i imponuar, ndonëse nga Sofja zyrtare vazhdimisht thuhet se Shkupi negocion me BE-në dhe jo me Bullgarinë. Sipas tij, iniciativat e reja evropiane paraqesin një mundësi, por bllokadat duhet të marrin fund përmes mekanizmave të Bashkimit Evropian, raporton MIA, transmeton Zhurnal.

Dimitrovski vlerëson se qeveria e kaluar nuk është dashur ta pranojë të ashtuquajturin “propozim francez”, pasi Bullgaria tani mund ta përdorë të drejtën e vetos për çdo çështje që lidhet me kornizën negociuese. Ai thekson se çështjet historike dhe identitare nuk duhej të ishin pjesë e kësaj kornize.

Sipas tij, nevojiten mekanizma që bllokadat dypalëshe të mos paraqesin pengesë në procesin negociues.
“Nëse krijohet një mekanizëm në Komisionin Evropian – dhe besoj se ky është qëllimi si i Gjermanisë ashtu edhe i Francës – që të mos lejohen bllokadat për çështje bilaterale, veçanërisht ato me karakter identitar dhe historik, të cilat nuk kanë lidhje me kriteret e Kopenhagës, atëherë kjo do të na ndihmonte realisht në hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues. Një mekanizëm i tillë do të na jepte edhe siguri për të hyrë në procesin e ndryshimeve kushtetuese, sepse është e qartë se nuk mund ta ndryshojmë Kushtetutën nëse nga pala tjetër përballemi me veto”, theksoi Dimitrovski.

Duke folur për Planin e Veprimit për Pakicat, të cilin Bullgaria e ka bllokuar, ai tha se ky dokument është pjesë e paketës negociuese dhe se parashikohet të fillojë të zbatohet pas ndryshimeve kushtetuese, ndërsa përmban masa kundër diskriminimit.

“Ky është një dokument i përgatitur me ekspertë evropianë dhe ekspertë të Këshillit të Evropës, të rekomanduar nga Komisioni Evropian. Ne punuam për të për një periudhë të gjatë dhe e finalizuam. Në proces u konsultuan përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve etnike më të vogla në Maqedoni, përfshirë edhe përfaqësues të shoqatave të bullgarëve.

Çfarë morëm si përgjigje? Një bllokadë të plotë dhe refuzim për të diskutuar. Nuk ka vërejtje konkrete ndaj dokumentit. Disa nga vërejtjet e para që u paraqitën nga pala bullgare i kemi inkorporuar. Problemi i tyre nuk është dokumenti, por fakti që Maqedonia ende nuk i ka miratuar ndryshimet kushtetuese. Pra, kemi të bëjmë me një bllokadë të përgjithshme, e cila nuk kontribuon në përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Ne besojmë se ky plan do të përmirësojë, ndër të tjera, edhe të drejtat e atyre qytetarëve që ndihen si bullgarë në Maqedoni”, tha Dimitrovski.

Lidhur me deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski pas takimeve në Tivat me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, Dimitrovski tha se iniciativa e re franko-gjermane paraqet një shtysë të fortë për procesin e zgjerimit të BE-së.

Ai kujtoi se që nga viti 2013 Bashkimi Evropian nuk ka pranuar asnjë anëtar të ri dhe se zgjerimi për një kohë të gjatë ka mbetur në plan të dytë. Sipas tij, zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht lufta në Ukrainë, kanë nxitur diskutime për gjetjen e modeleve që do të mundësonin integrimin më të shpejtë të vendeve kandidate.

“Fillimisht fokusi ishte te Ukraina dhe Moldavia, por gradualisht në qendër të vëmendjes është rikthyer edhe Ballkani Perëndimor. Bashkimi Evropian ka nevojë që, nga aspekti gjeopolitik dhe i sigurisë, të konsolidojë kontinentin në mënyrë që të mund të veprojë si një aktor global dhe të përballet me sfidat ndërkombëtare”, theksoi Dimitrovski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër