Partia për Lëvizjen e Turqve: Asnjë projekt për komunitetin turk mes 36 projekteve të financuara nga Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive

Nga R.ZH
1,069 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 qershor, Zhurnal.mk – Partia për Lëvizjen e Turqve ka reaguar ndaj shpërndarjes së mjeteve financiare për projektet e mbështetura nga Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, duke theksuar se në mesin e 36 projekteve të përzgjedhura nuk figuron asnjë projekt i orientuar drejt komunitetit turk.

Nga partia vlerësojnë se një situatë e tillë ngre shqetësime serioze lidhur me përfaqësimin dhe trajtimin e barabartë të të gjitha bashkësive etnike në vend.

“Misioni themelor i Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive është të avancojë dialogun, bashkëpunimin dhe besimin e ndërsjellë ndërmjet të gjitha bashkësive etnike në shtet. Megjithatë, praktikat e viteve të fundit lënë përshtypjen se nevojat dhe kërkesat e komunitetit turk nuk trajtohen me vëmendjen e duhur. Një qasje e tillë cenon parimin e barazisë dhe minon besimin në institucione”, thuhet në reagimin e partisë.

Partia për Lëvizjen e Turqve kërkon nga Ministria që të informojë opinionin publik në mënyrë transparente lidhur me kriteret dhe procedurat që janë përdorur gjatë procesit të përzgjedhjes dhe ndarjes së mjeteve financiare.

“Presim që Ministria ta informojë publikun në mënyrë transparente për kriteret dhe procedurën sipas të cilave është bërë përzgjedhja dhe shpërndarja e mjeteve. Qasja e barabartë në burimet publike për të gjitha bashkësitë përbën një parim themelor të qeverisjes demokratike”, theksojnë nga partia.

Në reagim, ata vlerësojnë gjithashtu se përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të komunitetit turk nuk duhet të qëndrojnë indiferentë ndaj, siç thonë, rasteve të tilla.

“Njëkohësisht, konsiderojmë se të gjithë individët dhe institucionet që kanë përgjegjësi për të përfaqësuar interesat e komunitetit turk nuk guxojnë të mbeten të heshtur përballë rasteve të tilla. Nevojitet veprim i përbashkët dhe i përgjegjshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave legjitime të komunitetit”, thuhet në reagim.

Partia për Lëvizjen e Turqve kërkon që institucionet kompetente të sigurojnë përfaqësim të barabartë të të gjitha bashkësive në proceset e mbështetjes financiare dhe në politikat që kanë të bëjnë me zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër