Policia me aksione të përforcuara, mbi 1500 shkelje nga drejtuesit e motoçikletave, mopedëve dhe trotinetëve elektrikë

Nga D. V.
591 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 qershor, Zhurnal.mk – MPB Maqedoni njofton se në kuadër të zbatimit të masave parandaluese dhe represive, si dhe kontrolleve të fokusuara në zbulimin dhe sanksionimin e shkeljeve të kryera nga drejtuesit e biçikletave, biçikletave me motor ndihmës, mopedëve, motoçikletave, triçikletave, katërçikletave dhe trotinetëve elektrikë, në të gjithë territorin e shtetit u realizuan 246 kontrolle dhe 58 aktivitete parandaluese.

Gjatë kontrolleve u konstatuan gjithsej 1.594 shkelje, prej të cilave 1.417 u kryen nga drejtues të biçikletave me motor ndihmës, mopedëve, motoçikletave, triçikletave dhe katërçikletave, 174 shkelje nga drejtues të trotinetëve elektrikë dhe tri shkelje nga drejtues të biçikletave.

“Shkeljet më të shpeshta te drejtuesit e mopedëve, motoçikletave, triçikletave dhe katërçikletave ishin: mosmbajtja e helmetës mbrojtëse gjatë vozitjes – 962 shkelje, drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit – 145 shkelje dhe drejtimi pa leje përkatëse – 70 shkelje. Në kuadër të masave të ndërmarra, janë konfiskuar 41 motoçikleta”.

“Te drejtuesit e trotinetëve elektrikë, më së shpeshti u konstatuan shkelje për shkak të mosshfrytëzimit të shtegut për biçikleta, korsisë për biçikleta, trotuarit ose sipërfaqeve të tjera të dedikuara për lëvizjen e këmbësorëve (neni 103-a paragrafi 1) – 63 shkelje, heqjes së duarve nga timoni, kapjes pas një mjeti tjetër, transportimit, tërheqjes ose shtyrjes së objekteve, si dhe përdorimit të pajisjeve elektronike gjatë drejtimit (neni 103-b paragrafi 1) – 17 shkelje, lëvizjes në sipërfaqe rrugore ku nuk lejohet qarkullimi me trotinet elektrik (neni 103-a paragrafi 5) – 15 shkelje dhe drejtimit nga persona nën moshën 14-vjeçare (neni 103-v paragrafi 1) – 14 shkelje. Në kuadër të masave të ndërmarra, 10 drejtues të trotinetëve elektrikë janë paralajmëruar me shkrim”.

“Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me kontrollet e intensifikuara dhe u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t’i respektojnë me përpikëri rregullat dhe rregulloret e trafikut, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe uljen e numrit të aksidenteve në të”, thonë nga MPB Maqedoni.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër