Meqë zgjedhjet janë afër a do të ketë ndryshime në Kodin Zgjedhor, listat e hapura?

Nga I.A
1,548 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 qershor, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut po hyn në një fazë të ndjeshme politike pas deklaratës së kryeministrit që zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin shumë shpejt. Kodi Zgjedhor është themeli mbi të cilin ndërtohet besueshmëria e procesit elektoral, prandaj çdo ndryshim në të ngjall interes të madh publik. Në këtë kontekst, listat e hapura janë rikthyer si një ide që premton më shumë demokraci dhe përfaqësim real, por edhe si një sfidë për partitë që janë mësuar të kontrollojnë procesin nga lart, shkruan Zhurnal.

Kur ndryshimet në Kodin Zgjedhor?

Debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor është i hershëm, por gjithmonë i ndërlidhur me kalkulime politike. Shumë herë është folur për nevojën e kësaj reforme, por shpesh është shtyrë për shkak të mungesës së konsensusit mes partive. Në prag të zgjedhjeve, dilema është nëse ka kohë dhe vullnet për të miratuar ndryshime të rëndësishme, apo nëse gjithçka do të mbetet në nivel deklarativ.

Nëse ndryshimet nuk realizohen tani, rreziku është që Kodi Zgjedhor të mbetet i vjetruar dhe të mos i përgjigjet realitetit politik të vendit. Kjo do të thotë se zgjedhjet e ardhshme mund të zhvillohen me rregulla që nuk pasqyrojnë kërkesat e shoqërisë për më shumë transparencë dhe përfaqësim.

Në këtë nivel kur po zhvillohet ky debat, kryetari i Kuvendit mbrëmë në një paraqitje mediatike është shprehur edhe pro kësaj ideje por edhe skeptik. Sipas Gashit ky model zgjedhor nuk është se jep kushedi sa rezultate.

“Kemi shumë shtete ku ky model po praktikohet, jo që po jep kushedi çfarë rezultati, por mendoj se nuk është vetëm Modeli zgjedhor, kjo varet nga shumë faktorë dhe ato duhet të harmonizohen në drejtim të kulturës politike dhe kulturës së përgjithshëm në vend”, tha mbrëmë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Listat e hapura hapin garën fer dhe rrisin cilësinë në Kuvend

Edhe përkundër skepticizmit të kryetarit të Kuvendit, modeli i listave të hapura shihet si një hap drejt demokratizimit të brendshëm të partive dhe forcimit të përfaqësimit qytetar. Me këtë sistem, votuesit nuk zgjedhin vetëm partinë, por edhe kandidatin që besojnë se i përfaqëson më mirë. Kjo i jep fund monopolit të udhëheqjes partiake mbi renditjen e kandidatëve dhe hap garën për individë me ide, integritet dhe angazhim personal.

Prandaj, ky model do të sillte një Kuvend më cilësor, me deputetë që ndihen të detyruar ndaj qytetarëve dhe jo vetëm ndaj strukturës partiake. Deputetët do të duhej të punojnë për reputacionin e tyre personal, duke rritur përgjegjësinë dhe transparencën. Kjo do të krijonte një kulturë të re politike, ku cilësia e individit ka po aq rëndësi sa edhe forca e partisë.

Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se ky model pra listat e hapura mund të sjellin rivalitete të brendshme dhe fragmentime në parti. Kandidatët do të konkurrojnë jo vetëm me kundërshtarët politikë, por edhe me kolegët e tyre brenda listës. Kjo mund të krijojë tensione të brendshme. Por, nëse ky proces menaxhohet me maturi, përfitimet për demokracinë dhe përfaqësimin qytetar do të jenë shumë më të mëdha se rreziqet. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër