383 pro, 192 kundër: Bundestagu vazhdon KFOR-in

Nga D. V.
877 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Prej 27 vitesh, Bundestagu gjerman voton çdo vit për zgjatjen e mandatit të Bundeswehr-it në KFOR. Të enjten, 11 qershor, e rinovoi sërish: 383 pro, 192 kundër, dy abstenim. Mandati i ri lejon dërgimin e deri në 400 ushtarë. Kostot shtesë: 35.7 milionë euro. Baza ligjore mbetet rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, miratuar në 1999. KFOR është misioni më i gjatë i pandërprerë i Bundeswehr-it jashtë Gjermanisë.

CDU/CSU, SPD dhe Të Gjelbrit pro

CDU/CSU, SPD dhe Të Gjelbrit votuan pro. Situata është e qetë — por jo e sigurt, thanë folësit e këtyre partive, duke përmendur marrëdhëniet e panormalizuara me Serbinë, pikëpyetjen rreth angazhimit afatgjatë të SHBA-së dhe ngërçin politik të krijuar prej kohësh nga mungesa e konsensusit për postin e presidentit, shkruan Deutsche Welle.

Deputeti i CDU-së Jürgen Hardt bëri thirrje: Kosova duhet të formojë qeveri dhe të zgjedhë sa më parë president — pa shumicë parlamentare, nuk mund të realizohet as afrimi me BE e as anëtarësimi në Këshill të Evropës. Për marrëdhëniet me Serbinë, Hardt tha se zgjidhja duhet të vijë „diplomatikisht, paqësisht — dhe ndoshta edhe me një marrëveshje të re.”

Socialdemokrati Macit Karaahmetoğlu nguli këmbë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, të iniciuar nga kancelari i mëparshëm Olaf Scholz. Marrëveshja pothuajse nuk po zbatohet. Sulmet paramilitare në veri nuk janë zbardhur nga drejtësia. Dhe SHBA-ja ka lënë të hapur angazhimin e saj afatgjatë. Pikërisht në këtë kontekst, tha ai, „një sinjal tërheqjeje do të ishte shenjë fatale dhe e gabuar”.

Mijatoviq për Serbinë “Kapeni hajdutin”

Boris Mijatoviq nga Të Gjelbrit nisi me lajmin e mirë “Zgjedhjet ishin të drejta, të lira dhe pa incidente”. Por paralajmëroi menjëherë: „Qetësia në shumë raste është mashtruese.” Ai solli si shembull sulmin e Banjskës të vitit 2023 — një nga incidentet më të rënda në veri të Kosovës. Paramilitarë serbë sulmuan një manastir serb — me qëllim që kamera ta filmonte si sulm të forcave kosovare ndaj një objekti ortodoks.

“Duhet të pyesim me seriozitet kush është mik dhe kush armik — dhe me çfarë mjetesh tinëzare operojnë”, tha Mijatoviq. Udhëheqësi i grupit vazhdon të jetë i lirë në Serbi. “Kapeni hajdutin!”. Në fund, Mijatoviq bëri thirrje direkt qeverisë gjermane: “Luftoni me vendosmëri për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Kjo do t’u ndihmonte shumë njerëzve.”

AfD: Kurti është “populist pan-shqiptar dhe nxitës sherri”

192 deputetë votuan kundër — por për arsye të kundërta. Partia nacionaliste Alternativa për Gjermaninë (AfD) kërkoi mbarimin e misionit. Alexander Wolf tha se “Kosova konsiderohet gjerësisht shtet i dështuar.” Kryeministrin Albin Kurti e quajti „populist pan-shqiptar dhe nxitës sherri” — dhe akuzoi qeverinë gjermane se po lejon veten të shfrytëzohet prej tij. “35 milionë eurot e parashikuara për KFOR do të kishin përdorim shumë më të mirë për qytetarët tanë këtu në Gjermani”, tha ai.

E Majta votoi gjithashtu kundër — por nga një kënd tjetër. Deputetja Can Özdemir njohu historinë: “Popullsia shqiptare e Kosovës kishte pësuar diskriminim masiv, privim të të drejtave dhe represion.” Por konkludoi: “Përvojat e 25 viteve të fundit tregojnë qartë se ndërhyrjet ushtarake nuk mund të krijojnë paqe të qëndrueshme.” Dhe shtoi: „Iniciativat e shoqërisë civile, mediat e pavarura dhe takimet ndërkufitare bëjnë më shumë për mirëkuptim sesa prania ushtarake.”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër