Tiranë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ka leje ndërtimi për zhvillimin në Zvërnec.
Në një intervistë në emisionin “Shqipëria Live”, në Top Channel, Rama tha se “më vjen keq, po ngatërrojmë dynjanë me këto letra, dokumente që hidhen e priten. Po ju përsëris, edhe një herë tjetër, që nuk është dhënë leje ndërtimi për zhvillimin në Zvërnec”.
Duke iu referuar një dokumenti që gazetarja i tregoi, kryeministri Rama tha se “se çfarë është ajo aty duhet të pyesim agjencinë përkatëse, sepse shpeshherë ndodhin ngatërresa. Di të them se nuk ka leje ndërtimi, se po të kishte leje ndërtimi që në janar të 2025, do të kishte nisur ndërtimi se jemi në 2026-ën. Nuk është ngatërresë e institucioneve, është ngatërresë e juaja”.
“Më nxirr lejen, kjo nuk është leje, është një paragraf mbi një dokument që ka një sërë kërkesash për leje. Më vjen shumë keq se vijmë vërdallë dhe konfuzoni dynjanë me këto copëza. Ajo nuk është leje ndërtimi, është një fletë ku ka një sërë pikash”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama tha se “leja e ndërtimit është një formular krejt tjetër, ka një sërë firmash edhe e imja në të. Për të 139 herë në këto ditë: nuk ka një leje ndërtimi. Është e habitshme si zhvillohet kjo ngjarje”.
