27 vite më parë, Kosova nisi epokën e lirisë – kujtohet hyrja e NATO-s dhe fundi i okupimit serb

Nga D. V.
1,018 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 12 qershor, Zhurnal.mk – 27 vite më parë, më 12 qershor 1999, Kosova hyri në një kapitull të ri historik me hyrjen e forcave të NATO-s dhe largimin e forcave serbo-jugosllave, duke shënuar fundin e një periudhe të rëndë të dhunës, represionit dhe spastrimit etnik ndaj popullsisë civile shqiptare.

Me rastin e përvjetorit të kësaj dite historike, Ambasada e Kosovës në Gjermani ka publikuar fotografi nga momentet e para të lirisë, duke rikthyer kujtimet e ditës kur Kosova nisi rrugëtimin e saj drejt paqes, demokracisë dhe ndërtimit të institucioneve shtetërore.

“Pamjet në këto fotografi sjellin kujtimet e ditës kur Kosova nisi epokën e lirisë, 27 vite më parë. Më 12 qershor 1999, me hyrjen e trupave të NATO-s, përfshirë Bundeswehr-in gjerman, dhe tërheqjen e forcave serbo-jugosllave, mori fund një periudhë e rëndë e dhunës, represionit dhe spastrimit etnik ndaj popullsisë civile të Kosovës, për të nisur kështu rrugëtimin drejt paqes, demokracisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të sigurt”, thuhet në postimin e ambasadës.

Më tej, përfaqësia diplomatike e Kosovës ka shprehur respekt dhe mirënjohje për sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.

“Në këtë ditë të veçantë, me respekt dhe mirënjohje të thellë kujtojmë lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rolin vendimtar të aleatëve për lirinë, paqen dhe sigurinë e Kosovës. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe të rënëve për liri! Mirënjohje e përhershme për miqtë dhe aleatët tanë”, theksohet në postim.

Ndërkohë, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka përkujtuar 27-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij momenti për paqen dhe stabilitetin në vend dhe rajon.

Në një postim në Facebook, ambasada amerikane ka nderuar qëndrueshmërinë e qytetarëve të Kosovës dhe ka riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme për të ardhmen e vendit.

“27 vjet më parë, forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke ndihmuar në hapjen e rrugës për paqe dhe stabilitet. Ne nderojmë qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për paqe, stabilitet dhe prosperitet”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.

Përvjetori i 12 qershorit vazhdon të mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës, duke simbolizuar fundin e luftës, kthimin e shpresës dhe fillimin e rrugës drejt lirisë dhe shtetndërtimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër