Prishtinë, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka kritikuar Qeverinë për angazhimin në miratimin e Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin, duke e pyetur kryeministrin Albin Kurti pse po i jepet prioritet këtij ligji, raporton Ekonomia Online.
Gjatë seancës së Kuvendit, Rrahmani tha se në mandatin e kaluar kishte kundërshtuar dhe penguar miratimin e këtij projektligji.
Ai pretendoi se shërbimi i fertilizimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kishte filluar të ofrohej në vitin 2024, prandaj qytetarët nuk mund të fajësohen për vonesat e mëparshme dhe detyrimin për t’iu drejtuar institucioneve private apo atyre jashtë vendit.
“Në mandatin e kaluar kemi kundërshtuar dhe penguar miratimin e projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim, megjithatë qeveria vazhdon ta trajtojë sjelljen e tij në kuvend me prioritet. Ju e keni arsyetuar se për shkak mos kalimit të këtij ligji po u pamundësohet marrja e këtij shërbimi në QKUK, që është hedhur poshtë për shkak se në vitin 2024 ka filluar të jepet ky shërbim dhe për pesë vite sa është vonuar, jeni përgjegjës që qytetarët duhet të marrin shërbime në institucione private dhe jashtë vendit. Pse është ky angazhim e ky nxitim për të ndikuar që ta njohin fëmijët prindin e tyre, nënën dhe babën biologjik”, tha Rrahamni.
Në përgjigjen e tij, kryeministri Kurti tha se asnjë qeveri në Kosovën e pasluftës nuk ka bërë më shumë për nënat, fëmijët dhe familjet sesa qeveria që ai drejton. Ai përmendi mbështetjen financiare për lehonat dhe rritjen e saj, duke i cilësuar akuzat se është kundër familjes si absurde.
“Nuk ka asnjë qeveri që mund të thoni se në Kosovën e pasluftës ka bërë më shumë për nënat dhe fëmijët, për familjet. Për herë të parë kjo qeveri ka filluar me mbështetje financiare për nënat lehona, 100 mijë gra kanë hapur xhirollogari për herë të parë në jetën e tyre. Mbështetjen kemi vazhduar ta rrisim. Gratë që punojnë i mbështesim edhe më shumë. Nëse ka ndonjë qeveri që ka bërë të madhe për nënat është kjo qeveri. Tash të më quani mua kundër familjes, për mua është absurde. Nëse ju e synoni një kauzë politike është legjitime, por tema është e gabuar, duhet të jeni kreativ më shumë se aq sepse ka pa numër vende ku do të duhej të kritikoheshim, por jo tek familjet”, theksoi Kurti.

