Shkup, 12 qershor, Zhurnal.mk – Qendrat e të dhënave, të paralajmëruara si motor i ekonomisë digjitale, kanë hapur pyetje serioze për energjinë elektrike, ujin dhe rolin e shtetit në ndërtimin e tyre. Partitë DОМ dhe Levica, me një sërë vërejtjesh, paralajmërojnë se ndryshimet ligjore po shtyhen pa transparencë, me pasoja të mundshme mbi energjinë, ujin dhe komunitetet locale, shkruan DW, transmeton Zhurnal.
Reagimi i DОМ
Demokratska obnova na Makedonija (DОМ) reagoi ndaj mënyrës se si në Kuvend kaluan ndryshimet në Ligjin për planifikim urbanistik dhe Ligjin për ndërtim, të cilat sipas tyre janë “të qepura sipas masës së investitorëve të qendrave të të dhënave”. Partia e gjelbër thekson se është e papranueshme që pas dyerve të mbyllura të futen përjashtime dhe afate të reja. Ata paralajmërojnë për manipulime në procedurë dhe kufizim të së drejtës së publikut për të paraqitur vërejtje.
Sipas DОМ, klasifikimi i qendrave të të dhënave si “ndërtime të kategorisë së parë” e zhvendos vendimmarrjen në nivel qendror, duke përjashtuar autoritetet lokale dhe popullsinë nga procesi. Ata theksojnë rreziqet:
Konsumi i ujit: qendrat kërkojnë ftohje intensive, që do të thotë miliona litra ujë në ditë.
Presion mbi energjinë elektrike: sistemet punojnë 24/7 dhe krijojnë ngarkesë serioze mbi rrjetin energjetik.
Efekt i kufizuar mbi punësimin: automatizimi i lartë nënkupton pak vende të reja pune.
Qëndrimi i Levicës
Deputeti Amar Mecinoviq nga Levica kërkoi që ndryshimet të hiqen nga rendi i ditës, duke theksuar se publiku nuk ka informacion të mjaftueshëm për projektet, investitorët dhe efektet e tyre. “Para se të miratohen qendrat e mëdha të të dhënave në pronësi të huaj, Maqedonia duhet të publikojë të gjitha nevojat e projektuara për energji elektrike, për ujë, marrëveshjet tatimore dhe ndikimin mbi punësimin,” – tha ai. Sipas Levicës, qendrat e të dhënave mund të bëhen konsumatorë të mëdhenj të energjisë pa përfitim të dukshëm shoqëror, ndërsa burimet duhet të drejtohen tek ekonomia dhe familjet.
Interesi për investime
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se ka interes të madh nga kompani për investime në qendra të të dhënave dhe se ato do të realizohen pa dëmtuar mjedisin. “Do të zgjidhen lokacione që nuk do të kenë ndikim mbi mjedisin,” – tha ai.
Ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski, sqaroi se bisedimet po zhvillohen me fonde investimi, jo me marka të mëdha teknologjike si Google, Microsoft apo Amazon. “Fondi mund të ndërtojë për Nvidia, një tjetër për Google,” – tha ai, duke shtuar se po shqyrtohen modele për përdorimin e infrastrukturës ekzistuese në zonat teknologjiko-industriale.
Ai pranoi se qendrat e të dhënave janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë, por investitorët mund ta sigurojnë nga burime të kombinuara, siç bëhet në Kroaci dhe Slloveni. Nuk do të ketë subvencione shtetërore për investitorët. Po shqyrtohen edhe modele alternative për ftohje dhe reduktim të ndikimit mbi mjedisin.
Sipas tij, një investim për një qendër të dhënash me kapacitet prej 15 megavatësh arrin qindra milionë euro, duke përfshirë rreth 300 punonjës gjatë ndërtimit dhe rreth 80 gjatë operimit, shumica prej tyre me arsim të lartë.
