Shteti nxjerr në shitje 990 automjete të dëmtuara, shiten si hekurishte dhe ja kushtet për blerje

Nga Xh M
1,041 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 gusht Zhurnal.mk – Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar nxjerr në shitje gjithsej 990 automjete të dëmtuara, të cilat do të ofrohen në një paketë të vetme dhe ekskluzivisht për trajtim si material mbeturinash. Bëhet fjalë për automjete të konfiskuara, përfshirë vetura dhe automjete të rënda, motoçikleta, traktorë dhe rimorkio. Blerësit e ardhshëm do të kenë të drejtë vetëm ta riciklojnë metalin e grumbulluar.

Sipas shpalljes së publikuar në faqen e Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, në shitje janë gjithsej 990 mjete të luajtshme – automjete të dëmtuara, përkatësisht automjete të udhëtarëve dhe të mallrave, motoçikleta, traktorë dhe rimorkio – me trajtim si material mbeturinash.

Vlerësimi i automjeteve është kryer në bazë të vlerësimeve të Ministrisë së Drejtësisë – Byrosë për Ekspertiza Gjyqësore, të datës 6 prill 2026. Sasia e saktë në kilogramë e hekurit të vjetër do të përcaktohet ditën e peshimit dhe do të dokumentohet me fletë-peshore, pas së cilës do të bëhet faturimi sipas sasisë së saktë.

Liciti elektronik është caktuar për 21 gusht 2026, në orën 10:00, ndërsa ankandi do të zhvillohet përmes portalit zyrtar të Agjencisë.

Çmimi fillestar është 13 denarë për kilogram hekurishte, pa TVSH, ndërsa shuma përfundimtare do të përcaktohet pas peshimit gjatë marrjes së automjeteve.

Të drejtë pjesëmarrjeje në ankand kanë vetëm personat juridikë që posedojnë leje përkatëse për menaxhimin, grumbullimin dhe përpunimin e këtij lloji të mbeturinave, si dhe mekanizmin e nevojshëm, përkatësisht kamionë me grejfer dhe presë për balotim.

Depozita për pjesëmarrje në ankand është 1.287.000 denarë, që paraqet 10 për qind të vlerës së përafërt të automjeteve. Pas përfundimit të procedurës, ofertuesi i zgjedhur duhet që brenda 15 ditësh të lidhë kontratën e shitblerjes dhe të dorëzojë garanci bankare për realizim cilësor dhe në kohë të kontratës në vlerë prej 1.930.500 denarësh.

Blerësi obligohet që me automjetet e marra të veprojë në përputhje me Ligjin për menaxhimin e mbeturinave dhe Ligjin për menaxhimin e rrjedhave shtesë të mbeturinave.

Kompanitë e interesuara duhet të paguajnë depozitën prej 1.287.000 denarësh, rreth 20.927 euro, dhe dokumentacionin e plotë ta dorëzojnë në zarf të mbyllur në arkivin e Agjencisë, më së voni deri më 19 gusht 2026, në orën 14:00.

Garancia bankare për realizimin e kontratës është 1.930.500 denarë, rreth 31.390 euro, që paraqet 15 për qind të vlerës së përafërt të objektit të shitjes. Garancia duhet të jetë e vlefshme deri në përfundimin e plotë të kontratës.

Afati për marrjen e automjeteve është 75 ditë nga nënshkrimi i kontratës së shitblerjes. Të gjitha shpenzimet për marrjen dhe transportimin e automjeteve nga hapësirat e Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar janë në barrë të blerësit.

https://faktor.mk/drzavata-kje-prodava-skoro-1000-havarisani-vozila–odat-na-licitacija-kako-staro-zelezo-eve-koi-se-uslovite-za-kupuvanje

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër