Ukraina synon 20 miliardë dollarë ndihmë ushtarake nga aleatët për të ruajtur “avantazhin” ndaj Rusisë

Nga D. V.
1,369 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kiev, 12 qershor, Zhurnal.mk – Ukraina do t’u kërkojë aleatëve të saj, rreth 20 miliardë dollarë financime shtesë ushtarake, me synimin për të ruajtur atë, që e konsideron si avantazhin aktual në fushëbetejë ndaj Rusisë, bëri të ditur sot një burim nga sektori i mbrojtjes ukrainase, raportoi “Reuters”.

Kërkesa pritet të paraqitet të enjten e ardhshme gjatë takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i njohur gjithashtu si grupi “Ramstein”, një aleancë prej më shumë se 50 shtetesh që ofrojnë ndihmë financiare dhe ushtarake për Kievin.

Sipas burimit, avancimi i forcave ruse është ngadalësuar ndjeshëm gjatë këtij viti dhe muajin e kaluar pothuajse u ndal.

Zyrtarët ukrainas ia atribuojnë këtë zhvillim sulmeve, me dronë me rreze të mesme veprimi, të cilat kanë goditur linjat ruse të furnizimit dhe logjistikën ushtarake, ndërsa sulmet me dronë me rreze të gjatë, kanë shkaktuar dëme në sektorin energjetik të Rusisë.

Komandantë të ushtrisë ukrainase kanë deklaruar javët e fundit, se dinamika në front ka krijuar një mundësi për Kievin, që gjatë këtij viti ta nxisë Moskën drejt negociatave në kushte më të favorshme.

Komandanti i forcave ukrainase të dronëve, Robert Brovdi tha për “Reuters” se objektivi strategjik, është të detyrojnë Rusinë, të tërheqë trupat nga vija e frontit përmes shkatërrimit të zinxhirëve të furnizimit dhe logjistikës, me sulme të intensifikuara me dronë.

Për realizimin e këtij plani, ai theksoi se nevojiten fonde shtesë.

“Kapacitetet prodhuese, cilësia e dronëve dhe numri i ekuipazheve që operojnë në Ukrainë janë të mjaftueshme, për t’i shkaktuar goditje të rënda ekonomisë ruse, për të bllokuar logjistikën e saj dhe për të eliminuar personel ushtarak”, tha Brovdi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi muajin e kaluar, se dëshironte të përparonte me bisedimet e paqes me Rusinë përpara dimrit, duke shfrytëzuar përmirësimin e pozicionit strategjik të Ukrainës.

Nga ana tjetër, presidenti rus, Vladimir Putin tha javën e kaluar, se forcat ruse vazhdojnë të avancojnë çdo ditë dhe se nuk sheh nevojë për negociata në këtë fazë.

Ai shtoi se ekonomia ruse nuk përballet me rreziqe serioze, megjithëse pranoi se sulmet ukrainase kanë shkaktuar dëme.

Sipas burimit ukrainas, në takimin e javës së ardhshme, disa prej aleatëve do t’u kërkohet të kontribuojnë, me shuma nga 2 deri në 6 miliardë dollarë secili, në formën e ndihmës ose kredive, për të arritur objektivin prej 20 miliardë dollarësh.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër