Shkup, 12 qershor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, njëherit kryetar komune në Tetovë, ka marrë pjesë në pritjen solemne të organizuar me rastin e 21-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kasami përmes një postimi publik, ku njoftoi se në këtë ngjarje ka marrë pjesë me ftesë të kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Sonte, me ftesë të kryetarit Albin Kurti, mora pjesë në pritjen solemne të organizuar me rastin e 21-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Kasami.
Ai theksoi se ky përvjetor shënon një rrugëtim të gjatë të angazhimit politik, qytetar dhe institucional, të ndërtuar mbi parimet e demokracisë dhe vullnetit të qytetarëve.
“Ky përvjetor shënon një rrugëtim të gjatë të angazhimit politik, qytetar dhe institucional, të ndërtuar mbi parimet e demokracisë dhe vullnetit të qytetarëve. Urime të gjithë anëtarëve, aktivistëve dhe mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje për këtë jubile të rëndësishëm”, ka deklaruar Kasami.
Lëvizja Vetëvendosje u themelua në vitin 2005 dhe sot përfaqëson forcën kryesore politike në Kosovë, ndërsa 21-vjetori i saj u shënua me aktivitete dhe takime solemne ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe personalitete të ndryshme nga rajoni.



