Kumanovë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës së BDI-së në Kumanovë, të cilin e ka cilësuar si një moment të rëndësishëm që konfirmon fuqinë organizative dhe pjekurinë politike të strukturave të partisë.
Përmes një postimi publik, Ahmeti theksoi se kuvendi dëshmoi forcën e organizimit të BDI-së dhe vlerat mbi të cilat, sipas tij, ndërtohet rrugëtimi politik i partisë.
“E kaluara jonë, ku çdo themelues i BDI-së ka lënë gjurmë në historinë kombëtare, është themeli mbi të cilin ndërtohen fitoret tona politike”, ka theksuar Ahmeti.
Ai vlerësoi gjithashtu emërimin e anëtarëve të Komitetit të Veteranëve, duke e cilësuar atë si një njohje të merituar për kontributin dhe sakrificën e tyre ndër vite.
Sipas Ahmetit, përvoja e veteranëve mbetet një aset i çmuar dhe një udhërrëfyes i rëndësishëm për gjeneratat e reja që angazhohen në jetën politike.
Kreu i BDI-së shprehu falënderim të veçantë edhe për nëndegët dhe këshillat vendorë, të cilët i cilësoi si shtyllat kryesore të organizimit partiak dhe garancinë më të fortë të lidhjes së partisë me qytetarët.
Në fjalën e tij, Ahmeti theksoi se uniteti, disiplina organizative dhe angazhimi i përbashkët mbeten elementët kyç për forcimin e pozitës politike të partisë dhe për mbrojtjen e interesave të qytetarëve që ajo përfaqëson.
“Bashkë do të vazhdojmë misionin tonë, më të vendosur se kurrë drejt fitoreve të reja”, porositi Ahmeti nga Kumanova.






