Zbulohen mozaikë të rrallë në Elbasan!

Nga D V
675 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Gërmimet arkeologjike në kuadër të projektit “Lagjja romake-bizantine jashtë mureve të Castrum Scampis – Bazilika paleokristiane extra muros”, arritën të bëjnë një zbulim të jashtëzakonshëm në Elbasan: mozaikë të panjohur më parë, që i përkasin një faze më të hershme të bazilikës paleokristiane jashtë mureve të qytetit antik.

Gërmimet u zhvilluan nga Instituti i Arkeologjisë i Akademisë së Shkencave, në zonën e Scampis, që gjendet përballë portës kryesore të kalasë së Elbasanit.

Mes mozaikëve të zbuluar rishtazi, spikat një mozaik polikrom (shumëngjyrësh), me skenën e Eukaristisë, i ruajtur në gjendje shumë të mirë, si edhe një mbishkrim ku përmenden dy dhurues, ndër ta diakonesha Euridyce.

Projekti është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) dhe, në vijim të këtyre zbulimeve që pasurojnë njohuritë mbi historinë e Elbasanit dhe trashëgiminë e tij kulturore, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan, po përgatit projektin për rehabilitimin e zonës përreth monumentit, si dhe për restaurimin dhe konservimin e tij, me synim mbrojtjen, valorizimin dhe kthimin e kësaj pasurie në një destinacion të aksesueshëm për publikun dhe vizitorët. A.K./TemA

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër