Mbrëmë, në I.N. Galeria e Arteve Tetovë u hap ekspozita “Perla kujtimesh” e prof. Enesa Memeti, e cila para publikut solli një botë të pasur emocionesh ku ngjyrat, format dhe lëvizjet shndërrohen në shprehje artistike të shpirtit. Të pranishëm ishin personalitete nga jeta publike, profesorë, studentë dhe artdashës, përcjell tetova1
Përmes simbolikës së mjellmës, piktorja ndërthur bukurinë dhe elegancën, duke krijuar vepra që fitojnë në reflektim dhe përjetim estetik. Në punimet e saj, Enesa e ka trajtuar mjellmën si simbolikë të fuqishme për transformimin, kontrastin mes dritës dhe errësirës, brishtësisë dhe forcës, qetësisë dhe trazimit, kalimin nga jeta në vdekje ose ndërrimin e gjendjeve emocionale.
U.D. drejtoresha e Galerisë, Arbenita Meta, në fjalën e saj theksoi se ekspozita “Perla kujtimesh” është pjesë e programit vjetor të I.N. Galeria e Arteve Tetovë dhe realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Meta vlerësoi krijimtarinë e Enesa Memetit, e cila përmes 40 veprave sjell një cikël pikturash ku mjellma e zezë shndërrohet në simbol të kujtesës, dashurisë së përjetshme dhe transformimit emocional. Përmes kontrasteve të ngjyrave, dritës dhe errësirës, artistja shpreh dhimbjen e humbjes, por edhe fuqinë e kujtimit për të ruajtur praninë e njerëzve më të dashur në jetën tonë.
Meta falënderoi Enesën për bashkëpunimin, përkushtimin dhe kontributin e saj në promovimin e artit pamor, si dhe për besimin që ia dha Galerisë për realizimin e kësaj ekspozite. Ajo shprehu mirënjohje të veçantë edhe për historianen e artit, profesoreshën Nora Halimi, për vlerësimin profesional të ekspozitës dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në art dhe kulturë, ndërsa në fund falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe autores i uroi shëndet, suksese dhe realizime të reja artistike.
Në kuadër të hapjes së ekspozitës foli edhe profesoresha e Fakultetit të Artit Figurativ në Universitetin e Tetovës, Nora Halimi, e cila para të pranishmëve prezantoi tekstin kuratorial me titull “Perla kujtimesh”, duke analizuar dimensionin artistik dhe filozofik të pikturave të Enesës.
Halimi theksoi se pikturat e autores janë interpretime ekspresive dhe metafora të bukurisë, lirisë, elegancës, ndryshimit, hireve dhe madhështisë që përfaqëson ky zog i rrallë ujor, siç është mjellma e zezë. Pjesa më e madhe e pikturave shfaq mjellmën në pozita dinamike, me flatra të hapura, duke simbolizuar lëvizjen, kërkimin për liri dhe ndonjëherë peshën e tragjedisë që mund të mbajë ky fluturim.
Kuratori i ekspozitës, Afrim Ziberi, vlerësoi rolin e piktores, duke theksuar se veprat e saj karakterizohen nga një simbolikë e veçantë, ndjeshmëri emocionale dhe vlera të spikatura.
Enesa Memeti falënderoi publikun për pjesëmarrjen dhe Galerinë për mbështetjen, duke shprehur mirënjohje për vlerësimin që i kushtuan krijimtarisë së saj artistike. Ajo theksoi rëndësinë e artit si formë e shprehjes së emocioneve dhe përcjelljes së mesazheve përmes veprave të saj.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 22 tetor 2026.
