Eian, 16 qershor, Zhurnal.mk – Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe do të takohen sërish për një samit më 22 korrik në Bruksel, njoftuan sot presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa dhe kryeministri britanik, Keir Starmer.
Ky do të jetë samiti i dytë pas Brexit-it, pas atij të planifikuar për në Londër në maj 2025.
Britania e Madhe u largua zyrtarisht nga Bashkimi Evropian në vitin 2020, katër vjet pas një referendumi që e ndau thellësisht vendin.
“Bashkëpunimi i ngushtë midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar është thelbësor për sigurinë tonë të përbashkët evropiane, qëndrueshmërinë tonë dhe prosperitetin tonë”, shkroi Antonio Costa në X, pas një diskutimi me Keir Starmer në kuadër të samitit të G7-s në Evian.
“Ne po punojmë ngushtë së bashku për ta bërë” këtë samit “një sukses”, shtoi ai.
“Qeveria ime laburiste është e përkushtuar për të rivendosur marrëdhënien tonë dhe për ta rikthyer Britaninë në zemër të Evropës. Së bashku, do të trajtojmë koston e jetesës, do të rrisim punësimin dhe do të krijojmë mundësi për të rinjtë”, deklaroi kryeministri britanik.
Në vitin 2024, qeveria Starmer erdhi në pushtet duke mbështetur lidhje më të ngushta me BE-në, por duke vendosur disa vija të kuqe: asnjë kthim në tregun e vetëm, bashkimin doganor ose lirinë e lëvizjes.
Diskutimet janë të tensionuara midis Londrës dhe Brukselit në lidhje me rigjallërimin e marrëdhënies së tyre.
