Zgjedhjet presidenciale në Serbi, kush është kandidati i Listës Studentore Radomir Saiçic

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Beograd, 26 nëntor Zhurnal.mk – Radomir Saiçic, anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve dhe profesor në Fakultetin e Kimisë në Beograd, pritet të jetë kandidati i Listës Studentore në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të planifikuara për 27 dhjetor.

Edhe pse procesi i votimit brenda kësaj liste nuk është përmbyllur zyrtarisht, Saiçic ka marrë mbështetjen e plenumeve studentore dhe përfaqësuesve parlamentarë. Sipas mediave serbe, kandidatura e tij pritet të shpallet zyrtarisht ditën e nesërme.

I lindur më 31 tetor 1961 në Beograd, Saiçic ishte një nga 14 themeluesit e grupimit qytetar “Lista e Studentëve”. Ai gjithashtu shpalli fitoren nga selia e kësaj liste gjatë natës së zgjedhjeve të 25 tetorit.

Në seancën konstituive të Kuvendit të ri të Serbisë, ai u emërua anëtar i Komisionit për Arsim, si dhe zëvendësanëtar i Komisionit për Mbrojtjen dhe Punët e Brendshme dhe i Komisionit për Kosovën.

Qëndrimet për Kosovën, Republikën Serbe dhe Rusinë

Gjatë fushatës zgjedhore, Saiçic ka tërhequr vëmendjen edhe për qëndrimet e tij lidhur me Kosovën, Republikën Serbe dhe marrëdhëniet me Rusinë.

Në një intervistë për emisionin “Oko” të televizionit publik serb RTS, ai e cilësoi Kosovën si “territor të pushtuar përkohësisht”, duke iu referuar Kushtetutës së Serbisë.

“Sipas Kushtetutës, Kosova dhe Metohia janë pjesë e patjetërsueshme e territorit tonë. Ky është një fakt dhe do të mbetet i tillë. Për mua, është një territor i pushtuar përkohësisht”, deklaroi Saiçiq.

Ai gjithashtu u shpreh në favor të ruajtjes së marrëdhënieve të mira me Moskën.

artikuj të ndërlidhura