Ministria e Transportit: LSDM i kundërvihet përparimit teknologjik, qendrat e të dhënave sjellin miliarda euro investime

Nga D V
872 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 qershor, Zhurnal.mk – “Nebuloza dhe përpjekje për manipulim të qytetarëve” – kështu nga Ministria e Transportit i vlerësuan akuzat e sotme të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), e cila kundërshton ndërtimin e mundshëm të qendrave të të dhënave në vend.

Nga Ministria theksojnë se investimet në qendra të të dhënave arrijnë miliarda euro në të gjitha shtetet e zhvilluara të Evropës dhe Amerikës, dhe se zhvillimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale janë motorë kyç të shteteve moderne. Ata sigurojnë se për ndërtimin e objekteve të tilla respektohen rreptësisht të gjitha kushtet teknike dhe ligjore, si dhe hartimi paraprak i studimeve përkatëse.

Sa i përket punësimeve, nga ministria resore thonë se gjatë ndërtimit të qendrave të të dhënave angazhohen mesatarisht të paktën 300 punëtorë ndërtimi dhe infrastrukture, ndërsa për funksionimin operativ punësohen rreth 100 inxhinierë të kualifikuar.

Në komunikatë shtohet se qendrat e të dhënave janë pararojë në përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe se ato në fakt e forcojnë tranzicionin drejt energjisë së gjelbër.

Nga Ministria e Transportit akuzuan LSDM se dëshiron që shteti të mbetet në vend pa modernizim, duke kujtuar, siç thonë, projektet e tyre kriminale të së kaluarës.

“Në kohën e LSDM projektet kryesore ishin projektet kriminale si spitali modular në Tetovë, përpjekja e dëshpëruar për kriminalitet përmes furnizimit të vaksinave nga kompania ‘Stabri’, bizneset me marihuanë dhe tenderët në shëndetësi. Ta kujtojmë opinionin edhe për deklaratën legjendare se Facebook dhe Google prisnin në kufi për të investuar në Maqedoni”, thuhet në reagimin e Transportit.

Nga pushteti porositën se shteti zgjedh përparimin dhe teknologjitë e reja, dhe se fakti që opozita kundërshton projekte të tilla është vetëm dëshmi se Qeveria është në rrugën e duhur.

Ndërkohë, opozitarja LSDM sot kërkoi moratorium për ndërtimin e qendrave të reja komerciale të të dhënave që përdorin sisteme me avullim të ujit. Partia vlerëson se janë të nevojshme detyrime ligjore për projektet më të vogla për nevoja shtetërore, ku investitorët do të obligohen për ftohje ekskluzivisht me ajër dhe prodhim të energjisë përmes parqeve solare dhe baterive, pa tërhequr energji nga rrjeti kombëtar.

Në konferencën e sotme për shtyp, Kristijan Dojçinovski nga LSDM akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-në në pushtet, duke pretenduar se qeveria insiston në ndërtimin e qendrave të mëdha komerciale të të dhënave. Ai tha se pushteti dëshiron të shesë ujin dhe energjinë për interesat e qendrave të huaja të të dhënave dhe përfitimet e veta tenderike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër