Shkup, 17 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, morën pjesë në nisjen e projektit “CulTour Crossing Borders”, i cili do të realizohet në kuadër të Programit Interreg VI-A IPA për bashkëpunim ndërkufitar me Greqinë informon Tetovasot.
Projekti ka një vlerë totale prej 1.382.043 eurosh dhe do të zbatohet për një periudhë prej 24 muajsh. Në kuadër të tij do të realizohen aktivitete për mbrojtjen dhe revitalizimin e lokalitetit arkeologjik “Termat Romake” në Bansko të Strumicës, përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe krijimin e kushteve më të mira për vizitorët.
Ministri Perinski theksoi se çdo investim i ri paraqet një mundësi të re për zhvillim lokal, kulturor dhe turistik, duke shtuar se fondet evropiane po japin rezultate konkrete për komunat dhe qytetarët.
Nga ana tjetër, ministri Ljutkov deklaroi se projekti shënon një fazë të re në mbrojtjen dhe valorizimin turistik të një prej lokaliteteve më të rëndësishme arkeologjike në vend.
Projekti do të lidhë lokalitetet Antik Europos në Kilkis të Greqisë, Liqenin e Dojranit dhe Termat Romake në Bansko në një itinerar të përbashkët kulturor dhe turistik ndërkufitar, i mbështetur me përmbajtje digjitale dhe aktivitete promovuese.
Perinski bëri të ditur gjithashtu se Komuna e Strumicës përmes dy thirrjeve publike për projekte infrastrukturore ka siguruar mbështetje për 12 projekte me vlerë të përgjithshme prej mbi 335 milionë denarësh. /Zhurnal.mk
