Shkup, 18 qershor Zhurnal.mk – Delegacione të partive të udhëhequra nga liderët e VMRO-DPMNE-së dhe Lëvizjes ZNAM – Për Maqedoninë tonë, Hristijan Mickoski dhe Maksim Dimitrievski të shtunën do të kenë takim në lidhje me rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë.
Ministri i Administratës Publike dhe sekretar i përgjithshëm i ZNAM-it, Goran Minçev, deklaroi se në atë takim do të duan të kuptojnë në çfarë fushe është rikonstruimi i Qeverisë, sepse, kur bisedohet për rikonstruim qytetarët mendojnë se bëhet fjalë vetëm për eshalonin e parë gjegjësisht ministrat.
“Megjithatë, këtu ka numër të madh të eshalonit të dytë, eshalonit të tretë – funksionarë të zgjedhur dhe të emëruar të cilët, gjithashtu, janë në atë pozita me qëllim adekuat që të ofrojnë rezultat”, tha Minçevi në emisionin “Vetëm intervistë” (Samo intervju) në televizionin Kanal 5.
Në pyetjen nëse janë të gatshëm për ndryshime Minçevi u përgjigj se si parti në periudhën e kaluar kanë bërë vlerësim të punës jo vetëm të ministrave dhe zëvendësministrave të tyre, sekretarëve shtetërorë, si pozita të eshalonit të parë, por edhe të të gjithë funksionarëve të tjerë të propozuar nga Lëvizja ZNAM.
“Ne kemi bërë revizion të punës së tyre dyvjeçare dhe qëndrimi ynë në këtë moment është se dy ministrat tanë dhe të gjithë funksionarët e tjerë po e kryejnë punën e tyre me zell dhe në mënyrë të shkëlqyer. Kjo çështje nuk është nëse ju pëlqen dikush apo jo, por nëse ai jep rezultate apo jo. Megjithatë, zotëri Mickoski është kryeministër dhe ne do të donim të dëgjonim argumentet nga pala tjetër në atë takim të shtunën”, theksoi Minçevi.
Siç tha, kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta në konferencën për media para pak kohësh në Shkup pikërisht për dikasteret e dy ministrave të ZNAM-it (drejtësia dhe administrata publike) deklaroi se ka përparim të dukshëm, gjegjësisht Udhërrëfyesit për sundimin e drejtësisë dhe reformave në administratën publike.
Minçevi theksoi se gjatë bisedimeve për hyrje në Qeveri para dy viteve kanë bërë marrëveshje me VMRO-DPMNE-në për koalicion për katër vjet dhe se me partinë e Mickoskit kanë qëndrime të ngjashme për disa çështje, në mesin e të cilave, siç tha, është qëndrimi i ngurtë kundër ndryshimit të Kushtetutës.
Minçevi tha edhe se qëndrimi i ZNAM-it është që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të garojnë të pavarur, pa dallim nëse ato do të jenë të rregullta ose të parakohshme.
“Por ne gjithashtu duhet të shqyrtojmë të gjitha opsionet për të dëgjuar argumentet nga cilido prej partnerëve tanë të koalicionit. Qëndrimi ynë është se jemi gati menjëherë, nesër nëse është e nevojshme, të kandidojmë në zgjedhje dhe ta bëjmë këtë në mënyrë të pavarur”, tha Minçevi.
