BE-ja kërkon mënyra të reja për të adresuar pabarazitë tregtare me Kinën

Nga D. V.
643 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 19 qershor, Zhurnal.mk – Përballë tensioneve në rritje në ekonominë globale, liderët e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të shqyrtojnë masa të reja,  për të adresuar pabarazitë tregtare dhe varësitë ekonomike, duke vijuar njëkohësisht dialogun me partnerët kryesorë.

Në një deklaratë të përbashkët, liderët e BE-së theksuan përpjekjet e vazhdueshme për të forcuar konkurrueshmërinë e BE-së dhe autonominë strategjike, si dhe për të rritur qëndrueshmërinë dhe sigurinë ekonomike.

Pavarësisht se në deklaratën e samitit, nuk përmendej drejtpërdrejt Kina, diskutimet u përqendruan në mënyrë të qartë, mbi marrëdhëniet tregtare me Pekinin, i cili mban një suficit të madh tregtar ndaj BE-së, i ndihmuar edhe nga mbështetja e gjerë shtetërore.

Konkurrenca e produkteve më të lira kineze, po ushtron presion mbi industrinë evropiane dhe po dobëson konkurrueshmërinë e saj, përfshirë edhe sektorë me potencial të lartë rritjeje si, gjysmëpërçuesit dhe inteligjenca artificiale.

Sipas një zyrtari të BE-së, ekziston një dakordësi mes vendeve anëtare se pabarazitë aktuale në ekonominë globale duhet të adresohen.

“Udhëheqësit i kanë kërkuar Komisionit Evropian – organi që përfaqëson BE-në në çështjet tregtare ndërkombëtare – të hartojë masa të reja për të përballuar këto pabarazi, në mënyrë që Bashkimi Evropian të ketë të gjitha instrumentet e nevojshme, për të mbrojtur interesat e tij dhe për të ulur rreziqet”, tha zyrtari.

Gjithashtu, liderët kanë kërkuar që ekzekutivi i BE-së të vijojë angazhimin në një dialog konstruktiv me partnerët kryesorë ekonomikë, për të mbrojtur interesat ekonomike dhe të sigurisë, duke siguruar që ky dialog të sjellë rezultate.

Në takimin e tyre të mërkurën në qytetin francez, Evian, liderët e Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara (G7) ranë dakord, për vendosjen e kufizimeve të sipërme për importin e disa lëndëve të para, me qëllim uljen e rrezikut të presionit ekonomik nga vende si Kina.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër