Së shpejti çelet gara për aeroportin sezonal të Gjirokastrës/ Çfarë përfiton qyteti i gurtë? Golemi: Zhvillim ekonomik dhe rritje turizmi

Nga Xh M
727 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Gjirokastër, 20 qershor Zhurnal.mk – Gjirokastra rikthehet në vëmendje si një pikë me potencial real për zhvillimin e aviacionit civil në jug të vendit. E renditur si një ndër qytetet më të bukura, Gjirokastra përpiqet përherë e më shumë për shtimin e pasurive të veta që do të mund ta bëjnë atë të jetë një tërheqje e vërtetë turistike. Aerodromi i Gjirokastrës është një prej atyre pasurive me të cilat gjirokastritët jo vetëm krenohen, por presin rijetësimin sa më shpejt. Kryeministri Edi Rama deklaroi një ditë më parë se Shqipëria duhet të vazhdojë zgjerimin e sistemit të aviacionit civil për t’iu përgjigjur rritjes së numrit të pasagjerëve dhe fluturimeve në vitet e ardhshme.

“Qeveria ndodhet në fazën përfundimtare të përgatitjeve për hapjen e garës për Aeroportin e Gjirokastrës, i cili do të funksionojë si aeroport turistik dhe sezonal” – tha Rama.

Lajmi për hapjen e garës për aeroportin turistik të Gjirokastrës, është cilësuar si një hap pozitiv për kryetarin e bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi. Për SCAN TV, Golemi ka thënë se aerodromi do të jetë një pikë e rëndësishme që do të sjellë zhvillim ekonomik dhe më shumë punësim, pasi Gjirokastra konsiderohet si një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit gjithëvjetor.

“Aeroporti Gjirokastër të mos jetë më aerodrom fushor, por të jetë një aerodrom me të gjitha kapacitetet dhe standardet. E meriton jo vetëm qyteti, por gjithë qarku Gjirokastër, sepse do të jetë një aeroport në shërbim të gjithë zonës. Patjetër që impakti i drejtpërderdjtë do jetë në Gjirokastër, dhe ky është lajm pozitiv. Pista aktualisht shkon në 1.2 km, është një aerodrom fushor. Përgjithësisht e kemi përdorur për fluturime sportive, por tashmë presim të jetë një aeroport me standarde” – thotë Flamur Golemi, kryetar i Bashkisë Gjirokastër.

Ndërkohë, Teodor Bilushi, Konsull Nderi i Italisë në Gjirokastër thekson se u realizuan fluturime direkte nga Italia me realizimin e doganës dhe të kontrollit doganor dhe policor në Gjirokastër gjatë këtij viti dhe po ashtu në 2025-ën.

“Në kuadër të rijetëzimit të aerodromit të Gjirokastrës, është nënshkruar në 2025, edhe një marrëveshje binjakëzimi me aeroportin e Sibarit, Itali” – thotë Bilushi.

I ndërtuar në vitin 1924, sot Aerodromi i Gjirokastrës, pret të finalizojë këtë projekt që do t’i shërbejë qytetit të gurtë për vetë pozicionin gjeografik, potencialin turistik, por edhe aksesit në lëvizje. Aktualisht, infrastruktura kërkon investime konkrete, duke nisur nga mirëmbajtja, rrethimi i plotë i pistës, vijëzimi i saj sipas kritereve të sigurisë ajrore. Megjithatë, fakti që kjo hapësirë ka pritur më herët aktivitete ajrore, tregon se ka potencial të provuar dhe mund të rikthehet lehtësisht në përdorim turistik sezonal. Nëse investimet do të konkretizohen, ajo mund të shndërrohet në një pikë kyçe për fluturime turistike, charter apo edhe shërbime të tjera ajrore, duke i dhënë tjetër impuls zhvillimit ekonomik të gjithë rajonit jugor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër