Komuniteti Hebraik: Heqja e flamurit të Izraelit sinjal alarmi, po tentohet të importohet urrejtja në Shqipëri

Nga Xh M
1,398 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 qershor Zhurnal.mk – Komuniteti Hebraik Shqiptar reagoi sot në lidhje me incidentin e heqjes së flamurit nga ambasada e Izraelit në Tiranë nga disa protestues gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme.

Komuniteti Hebraik Shqiptar shpreh tronditjen, indinjatën dhe shqetësimin e tij më të thellë për aktin e rëndë të përdhosjes së flamurit të shtetit të Izraelit pranë ambasadës së Izraelit në Tiranë, si dhe për thirrjet publike të urrejtjes kundër Izraelit të artikuluara gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e kaluar.

Sipas tij, ky nuk është thjesht një incident, por ky është një sinjal alarmi.

“Përdhosja e flamurit të një shteti sovran dhe mik të Republikës së Shqipërisë nuk është një formë proteste. Është një akt urrejtjeje, një sulm ndaj normave të së drejtës ndërkombëtare, ndaj misioneve diplomatike dhe ndaj vetë kulturës së tolerancës që ka bërë Shqipërinë të nderohet në mbarë botën”, thuhet në reagimin e Komunitetit Hebraik Shqiptar.

Sipas KHSh, “akoma më alarmuese janë deklaratat e dëgjuara nga foltorja e protestës, ku persona të caktuar shpallën publikisht se “Izraeli është armiku ynë.” Kjo është një gjuhë e rrezikshme, përçarëse dhe nxitëse e urrejtjes, e cila synon të importojë në Shqipëri konflikte dhe narrativa ekstremiste që nuk kanë pasur kurrë vend në shoqërinë shqiptare”.

Komuniteti Hebraik Shqiptar e konsideron këtë zhvillim jashtëzakonisht shqetësues, pasi për herë të parë po vërehen përpjekje të hapura për të normalizuar gjuhën antisemite në hapësirën publike shqiptare.

“Historia ka treguar se antisemitizmi nuk fillon me dhunë; ai fillon me fjalë, me propagandë, me demonizim dhe me heshtjen përballë tyre. Pikërisht për këtë arsye, çdo akt i tillë duhet të dënohet menjëherë dhe pa asnjë relativizim.

Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të lejojë që individë të maskuar apo grupe radikale të njollosin reputacionin ndërkombëtar të vendit tonë. Ky është vendi që gjatë Holokaustit mbrojti hebrenjtë kur pjesa më e madhe e Evropës i dorëzonte drejt vdekjes. Shqipëria u bë simbol i Besës, i humanizmit dhe i guximit moral. Ky është identiteti ynë kombëtar dhe askush nuk ka të drejtë ta zëvendësojë atë me gjuhën e urrejtjes”, thuhet në reagimin e Komuniteti Hebraik Shqiptar.

Komuniteti Hebraik Shqiptar thekson qartë se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike.

“Por kjo e drejtë përfundon në momentin kur ajo shndërrohet në nxitje të urrejtjes, në përdhosje të simboleve shtetërore, në sulme ndaj përfaqësive diplomatike dhe në thirrje që ushqejnë antisemitizmin”, nënvizon më tej KHSh.

Komuniteti Hebraik Shqiptar përshëndet reagimin e menjëhershëm dhe të qartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila dënoi këtë akt të papranueshëm.

“Njëkohësisht, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë me seriozitet maksimal këtë ngjarje, të identifikojnë autorët dhe organizatorët e këtyre akteve dhe të garantojnë se Shqipëria nuk do të bëhet terren për propagandën e urrejtjes, antisemitizmit apo ekstremizmit.

I bëjmë thirrje gjithashtu të gjithë spektrit politik, medias, shoqërisë civile, komuniteteve fetare dhe çdo qytetari të përgjegjshëm që të refuzojnë pa mëdyshje çdo përpjekje për të mbjellë urrejtje ndaj hebrenjve apo ndaj Shtetit të Izraelit. Heshtja përballë gjuhës së urrejtjes nuk është neutralitet; është rrezik”, thuhet në deklaratë.

Komuniteti Hebraik Shqiptar thekson se mbetet i vendosur të mbrojë vlerat mbi të cilat është ndërtuar marrëdhënia historike mes popullit shqiptar dhe popullit hebre: respektin, dinjitetin, solidaritetin dhe mbrojtjen e jetës njerëzore.

“Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë kurrë vend i antisemitizmit. Ata që përpiqen të importojnë urrejtjen në vendin tonë nuk përfaqësojnë Shqipërinë, nuk përfaqësojnë popullin shqiptar dhe nuk përfaqësojnë historinë tonë. Historia e Shqipërisë është histori e Besës, jo e urrejtjes”, e përmbyll reagimin Komunitetit Hebraik Shqiptar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër