Tiranë, 12 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kundërshtoi sot implementimin e numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme lokale, pas propozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjerimin e votimit dhe numërimit elektronik për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2027.
Berisha deklaroi gjatë një konference për shtyp, se PD-ja nuk do të pranojë numërimin elektronik në asnjë bashki teksa shtoi se ky proces është manipuluar në zgjedhjet e mëparshme.
Qëndrimi i Berishës vjen pas takimit me ftesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të diskutuar mbi votimin dhe numërimin elektronik ku sipas KQZ, PD nuk e mbështet zgjerimin e votimit dhe numërimit elektronik për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2027.
Berisha konfirmoi qëndrimin duke u shprehur se PD, në asnjë bashki nuk pranon numërim elektronik, sipas tij, në mënyrë të prerë.
“Partia Demokratike nuk pranon! Numërimi elektronik është manipuluar në mënyrë të turpshme”, tha Berisha.
Sipas tij “në numërimin elektronik është implikuar direkt dhe shërbimi informativ kombëtar”.
Ai theksoi se Partia Demokratike nuk do të pranojë asnjë mekanizëm që mund të cenojë integritetin e procesit zgjedhor.
“Janë krijuar servera paralelë, ka patur probleme të mëdha, ne nuk pranojmë asgjë të manipulueshme më në procesin zgjedhor”, theksoi Berisha.
