Tiranë, 23 qershor, Zhurnal.mk – Në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Shqipëri-Greqi dhe takimeve B2B të zhvilluara në Athinë, delegacioni i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve AIDA – Albanian Investment Development Agency, i kryesuar nga drejtoresha ekzekutive Laura Plaku, zhvilloi një takim dypalësh me drejtuesit e EnterpriseGreece, të kryesuar nga Marinos Giannopoulos.
Delegacioni shqiptar u mirëprit në selinë e institucionit grek në një atmosferë miqësore bashkëpunimi dhe partneriteti institucional, duke rikonfirmuar marrëdhëniet e konsoliduara ndërmjet dy agjencive.
Ambasada e Shqipërisë në Greqi nformon se “diskutimet u fokusuan në zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët; pjesëmarrjen në evente dhe forume ndërkombëtare; shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira; koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në Tiranë dhe Athinë dhe identifikimin e mekanizmave konkrete për nxitjen e investimeve dhe promovimin rajonal e ndërkombëtar”.
Ambasada e Shqipërisë në Greqi cilëson në një postim në rrjetet sociale se mbetet një mbështetëse aktive e këtij dialogu institucional dhe e angazhuar në ndërtimin e një platforme të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet aktorëve ekonomikë dhe institucionalë të të dy vendeve.
