Aziri: Diaspora të votojë edhe në zgjedhjet lokale ose ligjin do ta bllokojmë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 korrik Zhurnal.mk – Deputeti i Lidhjes Shqiptare, Elmi Aziri, ka deklaruar se partia e tij gjatë negociatave disa mujore për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ka paraqitur propozimet e veta për një sërë çështjesh, përfshirë njësitë zgjedhore, modelin e financimit të partive dhe çështje të tjera.

Aziri thotë se pavarësisht propozimeve të tyre, Lidhja Shqiptare ka qenë e angazhuar në funksion të arritjes së një konsensusi mes partive politike.

“Gjatë takimeve disa mujore mes partive për Kodin Zgjedhor Lidhja Shqiptare kishte propozimet e saja edhe për njësitë zgjedhore, edhe për modelin e financimit edhe për shumë çështje tjera. Por ne ishim në funksion të konsensusit”, ka shkruar Aziri.

Sipas tij, pika nga e cila partia nuk do të tërhiqet është mundësimi i votimit të diasporës edhe në zgjedhjet lokale.

“Ajo për të cilën ne nuk heqim dorë është mundësia e votimit të diasporës edhe në zgjedhjet lokale! Është shumë e thjeshtë!”, ka theksuar deputeti i Lidhjes Shqiptare.

Aziri paralajmëroi se në rast se kjo kërkesë nuk përfshihet në ndryshimet ligjore, partia e tij do të vazhdojë të kundërshtojë dhe të bllokojë miratimin e Kodit Zgjedhor.

“Nëse nuk mundësohet kjo, ne do të vazhdojmë të bllokojmë ligjin e nënshkruar nga disa parti”, ka deklaruar Elmi Aziri.

artikuj të ndërlidhura