BDI: Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Bilall Kasamit dhe jo shpërbërjen e këshillit komunal të Tetovës

Nga D V
2,209 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 korrik, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke e akuzuar atë për mungesë të përgjegjësisë politike dhe institucionale, si dhe për tentativë që, sipas tyre, të mbulojë dështimet në drejtimin e komunës përmes idesë për zgjedhje të reja të Këshillit Komunal.
Nga BDI vlerësojnë se Kasami, në vend që të zgjidhë problemet e qytetarëve të Tetovës, po krijon, siç thonë ata, “krizë artificiale” dhe po kërkon alibi për mosveprim.

“Bilall Kasami edhe një herë dëshmoi para qytetarëve pafuqinë e tij politike dhe institucionale. Në pamundësi për të marrë përgjegjësi dhe për të zgjidhur problemet e Tetovës, tani tenton ta kamuflojë dështimin e tij me teorira për zgjedhje të reja për Këshillin e Komunës së Tetovës. Bilall Kasami, i njohur që në rini për vargjet e lavdisë kushtuar Josip Broz Titos, më pas pjesë e koalicionit parazgjedhor “Mozheme”, e sot pjesë e një Qeverie pa legjitimitetin e shqiptarëve, pafuqinë e tij politike e ka demonstruar disa herë para opinionit. E pamë kur Kryeministri ia ndali fjalën publikisht, e pamë në raport me ministra të Qeverisë dhe po e shohim sërish sot, kur nuk ka guxim politik të mbrojë emrat e rrugëve dhe shesheve të Tetovës. Në vend të veprimit, Bilall Kasami prodhon teori juridike të paqena. Në vend të përgjegjësisë, kërkon alibi. Në vend të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemit, tenton të krijojë krizë artificiale dhe ta përdorë atë si pretekst për zgjedhje të reja”, thonë nga BDI.

Sipas partisë, çështja e emrave të rrugëve dhe shesheve nuk mund të shërbejë si arsye për shpërbërjen e Këshillit Komunal, pasi lista e propozuar nga BDI nuk është e njëjta që ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Lista e propozuar përmban gjithsej 67 emra dhe, rrjedhimisht, kjo çështje nuk mund të përdoret si shkak apo pretekst për shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia opozitare i bën thirrje Kasamit të bashkëpunojë me këshilltarët dhe subjektet politike për të gjetur një zgjidhje në interes të qytetarëve, ndërsa e akuzon se nuk po e mbështet nismën për rikthimin e emrave të rrugëve dhe shesheve të abroguara nga Gjykata Kushtetuese.

Në reagim, BDI ngre edhe pyetjen nëse Kasami ka marrë “leje” nga partneri i tij qeveritar, VMRO-DPMNE, për ta votuar këtë nismë.

“Nëse ka vullnet, le ta votojë. Nëse nuk guxon, le ta thotë publikisht se pret leje nga partnerët e tij qeveritarë”, thuhet më tej.

BDI thekson se, nëse Kasami dëshiron zgjedhje, atëherë duhet të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës së Tetovës dhe të kërkojë mandat të ri nga qytetarët, e jo të kërkojë shpërbërjen e Këshillit Komunal.

“Nëse Bilall Kasami do zgjedhje, le të mos sakrifikojë Këshillin për të shpëtuar veten. Le të japë dorëheqje dhe të përballet vetë me qytetarët e Tetovës”, përfundon reagimi i BDI-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër