Shkup/Selanik, 11 korrik Zhurnal.mk – Mediat greke kanë publikuar fotografitë e shtetasit serb 61-vjeçar, i cili për pak sa nuk humbi jetën gjatë fluturimit të kompanisë ajrore Ryanair nga Selaniku drejt Mynihut. Ai ndodhet i shtruar në spital në Selanik, ku po rikuperohet nga lëndimet dhe tronditja e pësuar gjatë incidentit dramatik.
Ngjarja ndodhi rreth 30 deri në 40 minuta pas ngritjes së avionit, kur një nga dritaret e kabinës u thye gjatë fluturimit. Pasagjeri serb ishte ulur pranë dritares dhe, për shkak të dekompresimit të menjëhershëm, gjysma e trupit të tij u tërhoq jashtë avionit.
Sipas dëshmisë së bashkëshortes së tij për televizionin grek Mega, jeta e 61-vjeçarit u shpëtua falë reagimit të saj të shpejtë dhe ndihmës së dy pasagjerëve të tjerë.
“Fluturonim prej rreth 30 ose 40 minutash kur papritur u thye dritarja. Gjithçka ndodhi për një sekondë. Për shkak të ndryshimit të presionit, gjysma e trupit të tij përfundoi jashtë avionit. Gjërat fluturonin nëpër kabinë, ranë maskat e oksigjenit dhe askush nuk dinte çfarë të bënte. Të gjithë qanin”, rrëfeu ajo.
Ajo shtoi se një rrethanë fatlume ishte fakti që bashkëshorti i saj ishte i lidhur me rripin e sigurimit.
“Ne të dyja e mbanim fort, më pas erdhi edhe një zotëri nga rreshti pranë nesh dhe së bashku e tërhoqëm nga krahu, ndërsa gjysma e trupit të tij ishte ende jashtë avionit”, tha bashkëshortja.
Pas incidentit, ekuipazhi ndryshoi menjëherë kursin dhe avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin “Maqedonia” në Selanik. Pas uljes, pasagjerët u evakuuan, ndërsa 61-vjeçari dhe personat që e ndihmuan u dërguan në spital për kontrolle dhe trajtim.
Sipas mediave greke, përfshirë “Kathimerini”, dyshohet se gjatë fluturimit një pjesë e motorit të dëmtuar është shkëputur dhe ka goditur dritaren e kabinës së pasagjerëve, duke shkaktuar thyerjen e saj. Fotografitë e realizuara pas uljes tregojnë dëmtime serioze në motorin e djathtë të avionit, si dhe dritaren e thyer dhe maskat e oksigjenit të aktivizuara në kabinë.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se shkaku i saktë i incidentit do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të hetimit.
Nga Konsullata e Përgjithshme e Serbisë në Selanik njoftuan se gjendja shëndetësore e pasagjerit po monitorohet nga mjekët dhe se ai nuk është jashtë rrezikut për jetën. Konsullja e Përgjithshme, Jelena Vujiq-Obradoviq, e vizitoi të lënduarin në spital dhe zhvilloi takime me drejtuesit e institucionit shëndetësor, mjekët përgjegjës dhe bashkëshorten e tij.
Hetimin për incidentin do ta udhëheqin autoritetet e Maqedonisë së Veriut, pasi ngjarja ka ndodhur në hapësirën ajrore të vendit. Sipas rregullave të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), hetimin e zhvillon shteti në territorin ose hapësirën ajrore të të cilit ka ndodhur incidenti.
Në hetim do të përfshihen edhe ekspertë nga Greqia, Malta dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Greqia do të kryejë kontrollet teknike të avionit në Selanik, Malta do të marrë pjesë si shteti ku është regjistruar avioni dhe operatori “Malta Air”, ndërsa SHBA-të, përmes Bordit Kombëtar për Sigurinë në Transport (NTSB), së bashku me kompanitë Boeing dhe CFM International, do të ofrojnë mbështetje teknike.
Hetuesit do të analizojnë të dhënat nga kutitë e zeza, komunikimet në kabinën e pilotëve, dokumentacionin e mirëmbajtjes së avionit dhe motorit, si dhe të gjitha pjesët e gjetura, për të përcaktuar nëse fillimisht ka ndodhur një defekt në motor apo ndonjë shkak tjetër që çoi në dëmtimin e avionit dhe thyerjen e dritares.
