Sali në përkujtim të gjenocidin e Srebrenicës: Kujtesa për viktimat është detyrim moral për mbrojtjen e së vërtetës

Nga Xh M
774 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 korrik Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në Parkun e Çairit, me rastin e 31-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, ku theksoi se kujtimi për viktimat nuk është vetëm një akt nderimi, por një detyrim moral dhe njerëzor për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin e njeriut.

Sali deklaroi se Srebrenica ka tejkaluar kuptimin e një qyteti dhe është shndërruar në simbol të gjenocidit më të rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, duke shërbyer si një kujtesë e përhershme për pasojat tragjike të urrejtjes dhe heshtjes së botës.

“Srebrenica nuk është më vetëm emri i një qyteti. Ajo është simbol i gjenocidit më të rëndë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore dhe një kujtesë e përhershme për pasojat tragjike të urrejtjes, kur bota zgjodhi të heshtë”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, zv.kryeministri i parë nënvizoi se varrezat e Potoçarit mbeten një plagë e hapur në ndërgjegjen e Evropës dhe të mbarë njerëzimit, duke rikujtuar se mbi tetë mijë burra dhe djem të pafajshëm u vranë vetëm për shkak të identitetit të tyre.

Ai theksoi se paqja, drejtësia dhe kujtesa janë përgjegjësi e secilit dhe se vetëm duke mos harruar krimet e së kaluarës mund të ndërtohet një e ardhme ku gjenocidi të mos përsëritet më.

Në fund të mesazhit të tij, Sali bëri homazhe për viktimat me thirrjen: “Lavdi e lutje viktimave. Kurrë më Srebrenicë. Kurrë më gjenocid.”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër