Çairi shënon Ditën e Përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

Nga Xh M
1,083 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 korrik Zhurnal.mk – Komuna e Çairit edhe këtë vit organizoi Marshin e Kujtesës dhe ceremoninë për nder të Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, duke vazhduar traditën e nderimit të viktimave të një prej ngjarjeve më tragjike në historinë bashkëkohore evropiane.

Marshi nisi nga ndërtesa e Komunës së Çairit dhe vazhdoi deri te Memoriali i Srebrenicës në Parkun e Çairit, ku u mbajt ceremonia qendrore përkujtimore dhe u vendosën kurora me lule në nder të viktimave të gjenocidit.Në ngjarje morën pjesë zëvendëskryeministri Bekim Sali, kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit Muhamed Murtezi, deputetja Merita Koçaxhiku, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe lokale, trupi diplomatik, organizata të shoqërisë civile, si dhe një numër i madh qytetarësh.

Siç thuhet në njoftim, në fjalimin e tij, kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamed Murtezi, theksoi se ruajtja e kujtesës për Srebrenicën është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa nderimi i viktimave përbën një detyrim moral dhe institucional. Ai shtoi se kujtesa historike duhet të mbetet pjesë e vetëdijes sonë kolektive dhe e brezave të ardhshëm.

“Komuna e Çairit edhe në të ardhmen do të vazhdojë tradicionalisht ta shënojë këtë ditë, duke ruajtur kujtimin për viktimat e Srebrenicës dhe duke promovuar vlerat e dinjitetit, kujtesës dhe respektit ndaj viktimave të gjenocidit,” thuhet në njoftimin e Komunës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër