Tetovë, 11 korrik Zhurnal.mk – Pas protestës së mbajtur sot në Tetovë, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) kanë reaguar duke kritikuar përpjekjet për rikthimin e simboleve dhe figurave nga periudha e kaluar jugosllave.
Në reagimin e tyre, nga BDI theksojnë se shqiptarët e kanë dhënë prej kohësh qëndrimin e tyre ndaj politikave dhe simboleve të asaj periudhe, duke nënvizuar se historia nuk mund të kthehet prapa.
“Shqiptarët ia kanë dhënë prej kohësh përgjigjen Josip Broz Titos. Historia nuk kthehet prapa. Përpjekjet për të rikthyer reliktet e një kohe të errët janë të destinuara të dështojnë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas BDI-së, nostalgjia për sistemin e kaluar nuk mund të imponojë simbole që, siç shprehen ata, shqiptarët i kanë refuzuar prej kohësh.
“Pinjollët e atij sistemi, sado nostalgji të kenë, nuk do të arrijnë t’ua imponojnë shqiptarëve simbolet që ata i kanë refuzuar me kohë”, thuhet më tej në reagim.
Nga BDI shtojnë se Tetova dhe shqiptarët duhet të vazhdojnë përpara, duke u mbështetur në identitetin, dinjitetin dhe historinë e tyre, e jo në “hijet e së kaluarës”.
