Shkrumbohet vetura që përdorej nga gjykatësi Gjoko Ristov

Nga I.A
1,013 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – Gjatë natës, në rrugën “Varshavska” në lagjen Taftalixhe të Shkupit, është djegur plotësisht një veturë, e cila sipas informacioneve jozyrtare përdorej nga gjykatësi Gjoko Ristov, raportoi “Nova Makedonija”.
Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregojnë se automjeti është shkatërruar pothuajse tërësisht nga zjarri, ndërsa dëmet më të mëdha janë shkaktuar në pjesën e përparme dhe në hapësirën e motorit.


“Nova Makedonija” shkruan gjithashtu se nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se rreth orës 02:50 pas mesnate, në SPB Shkup është raportuar se në territorin e komunës së Karposhit ishte përfshirë nga zjarri një automjet i tipit “Passat” me targa të Shkupit, në pronësi të Gj.R.


“Si pasojë e zjarrit janë dëmtuar edhe një automjet ‘Volkswagen Touran’, në pronësi të D.M., një automjet ‘SsangYong’, në pronësi të S.S., si dhe një objekt afarist në pronësi të G.L. Zjarri është shuar nga ekipi i Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit. Hetimet dhe ekspertiza në vendngjarje janë në vazhdim”, kanë njoftuar nga MPB për “Nova Makedonija”.

Incidenti vjen në një periudhë kur emri i gjykatësit Gjoko Ristov është në qendër të vëmendjes publike për shkak të një aktakuze, në të cilën Prokuroria pretendon se gjatë një kontrolli janë gjetur rreth 350 mijë euro.
Ristov i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se me dokumentacion do të dëshmojë se paratë nuk janë pronë e tij.
Nga “Nova Makedonija” theksojnë se për momentin nuk dihet nëse ekziston ndonjë lidhje midis zjarrit dhe rastit gjyqësor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër