Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut disponon me burime natyrore dhe kapacitet ekspertësh vendas që mund ta pozicionojnë vendin si prodhues të rëndësishëm të mineraleve kritike, nëse zbatohen teknologjitë bashkëkohore evropiane dhe krijohet një klimë e parashikueshme investimesh. Kështu vlerëson dekani i Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Teknike pranë Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip, prof. dr. Gjorgji Dimov, duke u ndalur te projekti për minierën e bakrit “Ilovica – Shtuka”, raporton EkonomijaBiznis, transmeton Zhurnal.
Sipas tij, Maqedonia dhe pjesa veriore e Greqisë janë pjesë e të njëjtit brez metalogjenik, prandaj disponojnë me vendburime të ngjashme bakri. Si shembull e përmend minierën e re “Skuries” në Halkidiki, ku tashmë zbatohen teknologji moderne që, sipas tij, mundësojnë ndikim minimal në mjedisin jetësor dhe monitorim të vazhdueshëm të të gjitha emetimeve të mundshme.
“Nuk shoh arsye pse edhe ne të mos e ndjekim atë shembull. Në ‘Skuries’ tashmë dy vjet po përgatitet ajo teknologji e re, e cila mundëson emetim shumë të ulët, praktikisht zero ndotje, nëse mund ta themi kështu. Të gjitha rrugët e emetimeve ndiqen, ka monitorim të vazhdueshëm. Këto janë teknologji që zbatohen me sukses kudo në botë. Gjithçka që po bëhet aktualisht në vendet evropiane duhet të reflektohet plotësisht edhe këtu”, thekson profesori Dimov për Kanal 5.
Ai nënvizon se minierat moderne ndryshojnë dukshëm nga praktikat e së kaluarës dhe se projektet e sotme funksionojnë sipas standardeve të rrepta evropiane për mjedisin, sigurinë dhe kontrollin e proceseve prodhuese.
Për më tepër, profesori vlerëson se Maqedonia disponon me kapacitete të veta inxhinierike, gjeologjike dhe projektimi për realizimin e investimeve të tilla.
“Që të kapërcehet ky frikë, që të fitohet besimi i komuniteteve lokale ku duhet të zbatohen këto projekte, duhet të bindet popullata se do të instalohen teknologjitë më të reja. Jemi relativisht mirë të përgatitur për këtë punë, sepse një pjesë e rëndësishme e minierave metalike tashmë po zbatojnë masa të tilla. Kemi përvojë dhe njohuri. Edhe ata si investitorë, edhe ne si studiues, projektues… Kemi kapacitete vendase për t’i realizuar vetë”, përfundon gjeologu Dimov për Kanal 5 TV.
Nga nisma qytetare “Edhe shëndet edhe punë” vlerësojnë se qëndrimet e tilla ekspertësh janë të rëndësishme në marrjen e vendimeve për investimet strategjike.
“Në një shoqëri demokratike secili ka të drejtë mendimi, por vendimet që përcaktojnë të ardhmen e shtetit nuk duhet të bazohen në supozime, frikëra apo bindje personale. Presim që institucionet t’i dëgjojnë ata që profesioni i tyre është analiza dhe nxjerrja e përfundimeve profesionale – inxhinierët, gjeologët, hidrologët, ekspertët e mjedisit, ekonomistët, komuniteti shkencor dhe institucionet relevante, përfshirë edhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (MANU). Vetëm mbi bazë të shkencës, fakteve dhe ligjit mund të merren vendime që janë në interes të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e iniciativës.
Sipas analizave ekonomike të investitorit, projekti “Ilovica – Shtuka” përfaqëson një nga investimet më të mëdha greenfield në Maqedoni, me potencial të bëhet ndër kompanitë më të mëdha eksportuese në vend, në një periudhë kur kërkesa për bakër dhe minerale të tjera kritike vazhdon të rritet si rezultat i tranzicionit të gjelbër dhe transformimit industrial në Evropë.
