Shkup, 14 korrik, Zhurnal.mk – Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë opinion të pafavorshëm për raportet financiare dhe ligjshmërinë e punës së NP “Higjiena Komunale – Shkup” për vitin 2024, duke konstatuar parregullsi të shumta financiare dhe administrative. Sipas raportit, ndërmarrja ka pasuri të paevidentuara në vlerë prej rreth 472 mijë euro, kërkesa me arkëtueshmëri të pasigurt prej mbi 2 milionë euro, detyrime që arrijnë në gati 12 milionë euro, si dhe ka angazhuar 354 persona përmes agjencive private, duke shpenzuar mbi 3 milionë euro. Revizioni evidenton gjithashtu humbje financiare, likuiditet të dobët, llogaritje të parregullta të pagave dhe faktin se 60 përqind e parkut të automjeteve është jashtë funksionit, duke rrezikuar seriozisht cilësinë dhe vazhdimësinë e shërbimeve publike.
“Janë konstatuar gjendje, parregullsi dhe mosharmonizim në punën e ndërmarrjes publike dhe për shkak të rëndësisë së tyre, është shprehur opinion i pafavorshëm për vërtetësinë dhe objektivitetin e raportve financiare për vitin 2024, si dhe për pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura. Janë konstatuar dobësi në evidentimin e pasurive të paluajtshme dhe objekteve infrastrukturore, nuk është siguruar e drejta e pronësisë dhe nuk është evidentuar pajisja (gjysmërimorkiot) e regjistruar në pronësi të ndërmarrjes publike, me vlerë prej 29.048 mijë denarë, përkatësisht 472.325 euro. Kryegjëja e evidentuar në librat tregtarë në vlerë prej 223.146 mijë denarë është gjendje e bartur sipas bilancit të ndarjes nga viti 1992, gjatë ndarjes së NP „Komunalec – Shkup“, kur është themeluar NP „Higjiena Komunale – Shkup“, por mungon dokumentacioni përkatës dhe e njëjta nuk është regjistruar në Regjistrin Qendror”, thuhet në raport.
Revizorët shtojnë se pjesa dominuese e kërkesave, përkatësisht kërkesat në vlerë prej 127.386 mijë denarë, gjegjësisht 2.071.317 euro, kanë shkallë dukshëm të ulët ose të pasigurt të arkëtueshmërisë, si rezultat i regjistrimit të shfrytëzuesve pa verifikim përkatës dhe pa kontrata të lidhura, si dhe për shkak të pjesëmarrjes së lartë të kërkesave të harmonizuara në vlerë, të cilat përbëjnë 74,52% të kërkesave të përgjithshme në bazë të shërbimeve komunale.
“Nga pjesët rezervë në stok, 40% janë furnizuar në vitin 2009, të njëjtat janë të vjetruara dhe pa vlerë reale përdorimi, ndërsa për to nuk është kryer harmonizimi i vlerës. Mungesa e planifikimit dhe koordinimit të duhur të aktiviteteve që lidhen me furnizimin dhe lëshimin e rezervave rezulton me shpenzim jo racional të mjeteve të ndërmarrjes publike dhe ka ndikim negativ në likuiditetin e saj. Për shkak të mosmiratimit të Planeve Vjetore për Punësim nga themeluesi, ndërmarrja publike gjatë vitit 2024 nëpërmjet agjencisë private për punësim, ka angazhuar 354 persona si ofrues shërbimesh, nëpunës administrativë dhe personel ndihmës-teknik, duke evidentuar shpenzime në vlerë prej 185.680 mijë denarë gjegjësisht 3.019.187 euro, që tregon mungesë të qëndrueshmërisë së burimeve njerëzore që duhet të kryejnë detyrat e rregullta të punës në ndërmarrje”, thuhet në raport.
Revizioni konstatoi parregullsi në mënyrën e llogaritjes së pagës së drejtorit dhe tek puna jashtë orarit e nëpunësve administrativë. Me analizën e kryer e të dhënave të paraqitura në librat tregtarë dhe në pasqyrat financiare, revizioni konstatoi se: Ndërmarrja publike evidenton një raport të pafavorshëm ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve (nën 1), profitabilitet negativ (humbje), likuiditet të reduktuar, si dhe efikasitet të përkeqësuar të biznesit, i shprehur përmes periudhës së zgjatur të arkëtimit të kërkesave (140 ditë) dhe periudhës së shtuar të pagesës së detyrimeve (108 ditë). Për shkak të nivelit të lartë të detyrimeve, në vlerë prej 736.948 mijë denarë, përkatësisht 11.982.894 euro, dhe likuiditetit të zvogëluar, ndërmarrja përballet me vonesa në pagesat ndaj furnizuesve, që rezulton me kamata, ndëshkime dhe rrezik të bllokimit të llogarive. Këto rrethana i thellojnë humbjet dhe i kufizojnë investimet në parkun e automjeteve, pajisje dhe infrastrukturë, duke ulur në afat të gjatë efikasitetin dhe duke rritur varësinë nga kreditë dhe subvencionet, si dhe duke krijuar rrezik për cilësinë, afatin dhe vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve.
Është konstatuar nivel i lartë i jofunksionalitetit të parkut të automjeteve (rreth 60% e automjeteve jashtë përdorimit), përkatësisht nga gjithsej 189 automjete speciale komunale me të cilat disponon ndërmarrja, vetëm 76 janë në gjendje funksionale, ndërsa 80 janë të prishura dhe 33 janë të dëmtuara rëndë, ose gjithsej 113 automjete janë jofunksionale, me moshë mesatare prej 15 vitesh dhe me aftësi të zvogëluar për gjenerimin e përfitimeve ekonomike.
Revizioni thekson se janë të nevojshme aktivitete të orientuara drejt eliminimit të vështirësive dhe problemeve të cilat periudhe më të gjatë janë të pranishme në funksionimin e ndërmarrjes, hartimi dhe zbatimi i një strategjie për rinovimin dhe modernizimin e parkut të automjeteve, të përshtatur me vëllimin e aktiviteteve dhe regjimin e punës 24/7, si dhe vendosja e sistemit për monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes teknike dhe arsyeshmërisë ekonomike të mirëmbajtjes. Me këtë do të sigurohet shfrytëzim më efikas i burimeve dhe ruajtja e vazhdimësisë dhe cilësisë në ofrimin e shërbimit publik. Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara janë dhënë rekomandime me qëllim ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve nga institucionet kompetente dhe personat përgjegjës.
