Shkup, 14 korrik, Zhurnal.mk – Qeveria ka miratuar Strategjinë për luftë kundër mashtrimeve dhe mbrojtje të interesave financiare të Bashkimit Evropian për periudhën 2026–2030, me të cilën parashikohet forcimi i mekanizmave për parandalimin, zbulimin dhe sanksionimin e keqpërdorimeve të fondeve publike dhe evropiane.
Nga Ministria e Financave informojnë se dokumenti është përgatitur në përputhje me obligimet e Programit Kombëtar për Përshtatjen e Legjislacionit të BE‑së (NPAA), në kuadër të Kapitullit 32 – Kontrolli financiar. Strategjia synon të përmirësojë disiplinën dhe transparencën në përdorimin e fondeve kombëtare dhe evropiane, si dhe të sigurojë mbrojtje më efikase të interesave financiare të BE‑së në vend.
Strategjia e re parasheh reforma në katër fusha kyçe:
– parandalimin e parregullsive dhe mashtrimeve,
– zbulimin në kohë të tyre,
– hetimin dhe ndjekjen efikase,
– kthimin e mjeteve të keqpërdorura dhe vendosjen e sanksioneve të përshtatshme.
Ministria pret që dokumenti të kontribuojë në parandalim më të fortë, mekanizma më të mirë për zbulimin e keqpërdorimeve, procesim më të shpejtë të rasteve të dyshimta dhe sanksionim më efikas të autorëve.
Strategjia e parë kombëtare për luftë kundër mashtrimeve u miratua në vitin 2019, me qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor, institucional dhe operacional për parandalimin dhe zbulimin e keqpërdorimeve gjatë përdorimit të fondeve evropiane.
