Autoritetet greke kanë vendosur shërbimet e mbrojtjes civile në gatishmëri të shtuar për shkak të rrezikut shumë të lartë për shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve në disa rajone të vendit.
Sipas Ministrisë për Krizat Klimatike dhe Mbrojtjen Civile, disa zona janë klasifikuar në nivelin e katërt të rrezikut, që nënkupton kushte atmosferike tepër të favorshme për përhapjen e shpejtë të flakëve.
Rreziku më i madh është shpallur në ishujt Hios, Lesbos, Samos dhe Ikaria, si edhe në rajonin e Dodekanezit dhe njësitë rajonale Lasiti e Heraklion në ishullin e Kretës.
Ndërkohë, niveli i tretë i rrezikut është në fuqi në Atikë dhe në disa zona të tjera ishullore dhe kontinentale të Greqisë.
Mbrojtja Civile u ka bërë thirrje qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarr nga pakujdesia. Autoritetet këshillojnë të mos digjet bimësia e tharë apo mbetjet bimore, të mos përdoren mjete që krijojnë shkëndija, të shmangen punimet e saldimit, përdorimi i skarave në ambiente të hapura, si edhe hedhja e bishtave të cigareve në natyrë.
Autoritetet greke vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa ekipet e emergjencës mbeten në gatishmëri për të reaguar në rast të shpërthimit të vatrave të zjarrit.
