Përplasje në Kuvend për reformat në arsimin fillor dhe të mesëm

Nga Xh M
1,848 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 korrik Zhurnal.mk – Pyetjet e deputetëve në Kuvend nuk kaluan pa përplasje mes opozitës dhe pushtetit lidhur me ndryshimet në ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm. Deputeti i LSDM-së, Bllagoj Boçvarski akuzoi Ministrinë e Arsimit për centralizim të fshehtë të kompetencave dhe për rrezikimin e vendeve të punës të mësimdhënësve përmes procesit të optimizimit. Sipas tij, reformat e prezantuara po e kthejnë procesin e decentralizimit 20 vite pas, duke i ngarkuar komunat me pagat e mësimdhënësve, ndërsa Ministrisë po i jepen kompetenca më të mëdha, veçanërisht për hapjen e paraleleve me më pak se 20 nxënës.

“Ju me këto ligje u thoni komunave se tani e tutje do të mund të paguajnë paga nga buxhetet e tyre, ndërsa ju si Ministri po u shkurtoni kompetencat politike duke kërkuar pëlqimin tuaj për çdo paralele. Ky është një proces retrograd që do të bllokojë komunat. Pse këtë optimizim nuk e bëtë përmes largimit natyror, me pensionim, por me shkurtime që do të zbrazin fshatrat tona?, pyeti Bllagoj Boçvarski, deputet i LSDM-së.

Ministrja e Arsimit, Janevska, i hodhi poshtë këto akuza. Ajo theksoi se optimizimi i shkollave nuk nënkupton largimin e arsimtarëve nga puna, por riorganizimin e tyre në pozicione të tjera të nevojshme për sistemin arsimor, me qëllim që procesi i mësimit të jetë sa më cilësor.

“Asnjë mësimdhënës gjatë këtyre dy viteve nuk është larguar nga puna. I kemi angazhuar si këshilltarë për karrierë, u kemi dhënë mundësi të punojnë si asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta, u kemi dhënë mundësi që orët që u mungojnë t’i plotësojnë përmes aktiviteteve jashtëkurrikulare. Aktualisht kemi një projekt pilot në 10 deri në 15 shkolla për të organizuar orarin e të gjithë mësimdhënësve, në mënyrë që ata të jenë sa më efikasë në punën e tyre dhe fëmijët tanë të mos renditen të fundit në testimin PISA”, u përgjigj Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Sipas dikasterit të Arsimit, reformat janë të domosdoshme për të shpëtuar arsimin që po përballet me rënie të vazhdueshme të standardeve dhe numrit të nxënësve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër