VLEN: Ku përfunduan 9 milionë eurot e BE-së, ndërsa Zajazi i Ali Ahmetit mbeti pa kanalizim

Nga I.A
1,135 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 korrik, Zhurnal.mk – VLEN ka ngritur akuza ndaj BDI-së në lidhje me kanalizimin në Zajas. Nga VLEN thonë se para dy javësh ngritën pyetje serioze për këtë siç e quajnë, skandal.

“Folëm për mbi 9 milionë euro fonde evropiane të humbura, për kallëzimin penal të Policisë Financiare, për kontratat e lidhura me kompani vendore dhe për dyshimet se në këtë punë mund të jenë përfshirë edhe kompani të lidhura me oborrin familjar të Ali Ahmetit. Kërkuam të hapet çdo kontratë, pagesë dhe të zbardhet çdo përgjegjësi që lidhet me këtë projekt. Tani pyetjet nuk po i bën vetëm VLEN-i, por edhe Bashkimi Evropian ka nisur të kërkojë përgjigje”.

“Ambasadori i Bashkimit Evropian, Michalis Rokas, bëri të ditur se BE-ja po mbledh dokumentacionin për këtë projekt. Prandaj nuk mjafton më vetëm pyetja se ku përfunduan milionat. Opinioni duhet të dijë edhe kush e raportoi projektin si të përfunduar, mbi cilat dokumente dhe mbi çfarë baze. Sa më shumë po hapet ky skandal që kundërmon korrupsion, aq më shumë po del në sipërfaqe se kemi të bëjmë me një lëmsh që, sa e tërheq, aq më shumë zgjatet”.

“Për 24 vite, BDI-ja e kishte pushtetin në dorë. Në Kërçovë e drejtoi komunën për tre mandate radhazi. Pikërisht gjatë qeverisjes së saj ky projekt, i financuar me para të Bashkimit Evropian, duhej të përfundonte në vitin 2024. Por kanalizimi nuk përfundoi. Tani po kuptohet edhe pse. Ne kërkojmë që Prokuroria Publike dhe Policia Financiare ta zgjerojnë hetimin deri në fund dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet evropiane”, thonë nga VLEN.

“Kjo është fytyra e vërtetë e BDI-së. Patriotë para kamerave, ndërsa pas perdeve projekte të dështuara, miliona të humbura dhe një lëmsh që tashmë ka filluar ta hapë edhe Bashkimi Evropian. Ashtu siç kemi thënë, u desh Ali Ahmeti të shkojë në opozitë që i gjithë llumi të dalë në sipërfaqe. Madje të dalë edhe arsyeja pse Zajazi, vendlindja e tij, mbeti pa kanalizim”, theksojnë nga VLEN.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër