Italia dhe gjashtë vende të tjera kundërshtojnë kufizimet e reja për anëtarët e ardhshëm të BE-së

Nga Xh M
1,778 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Romë, 18 korrik Zhurnal.mk – Italia, së bashku me Austrinë, Kroacinë, Çekinë, Greqinë, Sllovakinë dhe Slloveninë, kanë kundërshtuar propozimin e Francës, Gjermanisë dhe vendeve të Beneluksit për vendosjen e mekanizmave të rinj kufizues në procesin e anëtarësimit të vendeve të ardhshme në Bashkimin Evropian, raportoi Euractiv.

Sipas një dokumenti diplomatik të muajit të kaluar, Franca, Gjermania, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu propozojnë që vendet e reja anëtare, gjatë një periudhe tranzitore, të kenë të drejtë të kufizuar vote në vendimmarrjet që lidhen me buxhetin, sigurinë dhe politikën e jashtme të BE-së.

Këtij propozimi i është kundërvënë grupi “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, i cili paralajmëron se një qasje e tillë mund të krijojë perceptimin e një anëtarësimi “të klasit të dytë” në Bashkimin Evropian.

Në dokument theksohet se procesi i zgjerimit duhet të zhvillohet sipas të njëjtave rregulla për të gjitha vendet kandidate, pa vendosur parakushte të reja politike, kërkesa shtesë apo procedura paralele.

“Duhet të shmangen kërkesat e reja, parakushtet politike apo hapat shtesë institucionalë, pasi ato do t’i dekurajonin vendet kandidate dhe do ta dobësonin ndikimin e Bashkimit Evropian në fqinjësinë e tij”, thuhet në dokument.

Njëkohësisht, vendet e grupit pranojnë mundësinë e zbatimit të klauzolave mbrojtëse, masave tranzitore dhe mekanizmave të monitorimit pas anëtarësimit, por vetëm nëse ato janë proporcionale, të justifikuara ligjërisht dhe të bazuara në nevoja konkrete.

Kjo nismë vjen në prag të mbledhjes së Këshillit Evropian në tetor, ku liderët e Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë sërish politikën e zgjerimit, në një kohë kur proceset e anëtarësimit të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, po përballen me ngecje.

Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, deklaroi se Bashkimi Evropian duhet t’u garantojë të gjitha vendeve status të barabartë pas anëtarësimit, pa vendosur kushte të reja, duke ruajtur njëkohësisht një kornizë të përbashkët të përshtatur me specifikat e secilit shtet kandidat.

“Jemi të bindur se ribashkimi i familjes evropiane me Ballkanin Perëndimor duhet të jetë një prioritet politik”, u shpreh Tajani.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër