Tiranë, 21 korrik Zhurnal.mk – Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi sot, se reformat e ndërmarra së fundmi në sistemin shëndetësor po sjellin rezultate konkrete për qytetarët.
Treguesit e 6-mujorit të parë të vitit 2026 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale konfirmojnë se reformat e ndërmarra së fundmi në sistemin shëndetësor po japin rezultate konkrete, duke reduktuar ndjeshëm kohën e pritjes për disa nga shërbimet më të kërkuara diagnostikuese dhe procedurat e specializuara.
Sipas të dhënave, koha mesatare e pritjes për kryerjen e skanerit është ulur në 7.8 ditë, nga 24.3 ditë që ishte në vitin 2025.
Edhe për rezonancën magnetike, koha e pritjes është reduktuar nga 80.3 ditë në vitin 2025 në 72.3 ditë gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026.
Përmirësimi më i ndjeshëm është regjistruar në shërbimin e koronarografisë, ku koha e pritjes ka rënë nga 111 ditë në vitin 2025 në 46 ditë gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026.
Reduktimi i kohës së pritjes është rezultat i masave të ndërmarra për rritjen e kapaciteteve, përmirësimin e organizimit të shërbimeve dhe rritjen e efikasitetit në sistemin shëndetësor, me qëllim garantimin e një aksesi më të shpejtë dhe cilësor për qytetarët.
