“Rama po nxjerr paratë me avion”, Berisha i bën thirrje prokurorit publik të be të hetojë kryeministrin

Nga L. M
567 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka nxjerrë para cash jashtë vendit përmes avionit privat.

Në një konferencë për mediat, Berisha i bëri thirrje autoriteteve europiane që të nisin hetimet ndaj kreut të qeverisë.

“I bëj thirrje Prokurorit Publik të BE-së të ndërmarrë menjëherë hetime për këtë problem tmerrësisht shqetësues. I bëj thirrje Interpolit, Europolit dhe Eurojust-it të angazhohen në hetimet më serioze të Edi Ramës, që sillet si diktatorët e dikurshëm të Afrikës, që mbushin avionët me kartëmonedha dhe i çojnë në banka të ndryshme. Ky hetim ka një vlerë dhe rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët”, tha Berisha.

Akuzat e Berishës bazohen mbi pretendimet e eurodeputetit Tomas Zdechovsky, i cili denoncoi Ramën si njeriun që përdor familjarët e tij për të transportuar para jashtë shtetit.

“Deklarata e europarlamentarit në mediat shqiptare është aktakuza më e rëndë që i bëhet personalisht Edi Ramës dhe familjarëve të tij nga një personalitet i shquar në Parlamentin Europian, i cili shprehet se ‘po ndjekim paratë’. Rikujton, pra, parimin e kapjes së mafies duke ndjekur paratë.”

Sa i përket punës së Komisionit të Reformës Territoriale, Berisha edhe një herë e cilësoi atë si manovër të kreut të qeverisë për të shpopulluar vendin. Madje, për këtë çështje, ai paralajmëroi edhe protesta.

“Tani ai kërkon të zbatojë më tej politikën e shpopullimit, duke hequr edhe 20 bashki të tjera. Zgjidhja e parë janë protestat e fuqishme në të gjitha këto bashki dhe në të gjithë vendin.”

Të enjten është afati i fundit për të depozituar raportin e Komisionit të Reformës Territoriale, teksa PS ka paralajmëruar se e ka gati edhe reformën e re, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive.

/vizionplus.tv

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër