Peleshi urim për Ditën e Alfabetit: Gjuha shqipe, pjesë e identitetit dhe pasurisë sonë kombëtare

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka përcjellë një mesazh urimi, duke kujtuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe vendimin për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Në mesazhin e tij, Kryetari Peleshi e cilëson Kongresin e Manastirit si një hap vendimtar në formësimin e identitetit kombëtar shqiptar dhe të orientimit të tij perëndimor.

Nga 14 deri më 22 nëntor 1908, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, me bindje dhe besime të ndryshme, u mblodhën rreth një ideali të përbashkët, njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Një përpjekje historike, frytin e së cilës shqiptarët e kanë sot në duar sa herë shkruajnë dhe lexojnë me 36 shkronjat e alfabetit të tyre.

Për këtë përvjetor, urimi i Kryetarit të Kuvendit shoqërohet edhe me pamje të krijuara përmes teknologjisë, të frymëzuara nga fotografia historike e Kongresit të Manastirit, duke sjellë në një formë të re kujtesën e këtij momenti të rëndësishëm të historisë kombëtare.

Mesazhi i Kryetarit të Kuvendit nënvizon gjithashtu rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen, pasurimin dhe promovimin e gjuhës shqipe, si një vlerë themelore e identitetit kombëtar dhe e trashëgimisë sonë kulturore. Ruajtja dhe përcjellja e saj te brezat e ardhshëm mbetet një përgjegjësi e përbashkët, në të cilën institucionet kanë një rol të veçantë.

“Si sot, 118 vjet më parë, në Manastir u hodh një hap vendimtar që do t’i jepte identitetit perëndimor të kombit tonë shumëçka nga trajta që ka edhe sot. Shqiptarët vendosën atë ditë, të shkruanin me një alfabet të përbashkët, si të gjithë kombet e qytetëruar të botës moderne.

Nga 14 deri më 22 nëntori i vitit 1908, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, me bindje e besime të ndryshme, u mblodhën rreth një ideali që i bashkonte. Frytin e punës së tyre e kemi sot në duar sa herë shkruajmë e lexojmë shqip me 36 shkronjat e alfabetit tonë.

Pamjet që shoqërojnë këtë urim janë një rikthim përmes teknologjisë, frymëzuar nga fotografia historike e Kongresit të Manastirit.

Gjuha është identiteti ynë. Ta ruajmë, ta kultivojmë dhe t’ua përcjellim fëmijëve tanë me krenari”, shkruan Peleshi.

artikuj të ndërlidhura