Tiranë, 22 korrik, Zhurnal.mk – Stuhi lokale kanë goditur vendin mbrëmjen e djeshme dhe gjatë natës duke sjellë pasoja në disa zona, ndërsa raportohet për pemë të rrëzuara dhe dëme të vogla materiale.
Ashtu si ishte parashikuar në zonat bregdetare Sarandë, Himarë, Vlorë ka pasur stuhi gjatë natës.
Mediet raportuan se nga stuhia e furishme e një nate më parë kanë mbetur të lënduar disa persona në Sarandë, ndërsa 3 prej tyre kanë marrë ndihmë në spital. Mësohet se ata janë plagosur nga thyerja e xhamave të automjeteve të dëmtuara nga rrëzimi i një pishe në degët e stadiumit.
Një prej tyre është goditur nga degët e një peme ndërsa ecte me motor.
Era e fortë përfshiu mbrëmjen e të martës edhe qytetin e Vlorës, duke shkaktuar probleme në zona të ndryshme, ndërsa qytetarët dhe pushuesit u larguan me shpejtësi nga bregdeti, për shkak të rrezikut nga rrëzimi i pemëve dhe objekteve të ndryshme.
Në zonën e Lungomares, bizneset mblodhën çadrat dhe karriget, për shkak të erës së fuqishme, që vështirësoi aktivitetin normal.
Edhe në qarkun e Kukësit, reshjet e shiut, erërat me intensitet mesatar dhe shkarkesat elektrike i kanë dhënë fund valës së të nxehtit.
