Prishtinë, 22 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i Wizz Air për vendosjen e bazës së saj operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si vend i besueshëm për investime, me perspektivë zhvillimi dhe potencial për t’u integruar më shumë në rrjetet evropiane të transportit, raporton Ekonomia Online.
Kurti këto deklarata i bëri në ceremoninë zyrtare të hapjes së bazës operative të Wizz Air në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku kompania ka paralajmëruar vendosjen e një avioni Airbus A321neo dhe krijimin e 40 vendeve të reja të punës.
“Vendimi Wizz Air për ta vendosur bazën e saj në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si vend i besueshëm për investime me perspektivë të qartë zhvillimi si dhe me potencial të madh për t’u integruar edhe më shumë në rrjetet evropiane të transportit të tregtisë dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve. Kjo bazë e re dhe avioni i ri me kapacitet prej 239 ulësesh, janë investim i rëndësishëm dhe tregues që vendi ynë po bëhet gjithnjë e më tërheqës edhe për industrinë ndërkombëtare të aviacionit”, tha ai.
Kurti tha se numri i udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ka shënuar vazhdimisht rekorde të reja, duke bërë të ditur se është arritur shifra prej 4.6 milionë pasagjerësh.
“Numri i udhëtarëve ka shënuar vazhdimisht rekorde të reja. Është 4.6 milionë, po i afrohemi ngadalë po sigurt edhe shifrës prej 5 milionë pasagjerë në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës”, tha ai.
Kryeministri në detyrë tha se krahas rritjes së numrit të udhëtarëve, është e rëndësishme që të ketë edhe bileta me çmime sa më të përballueshme.
“E tash ne jemi të interesuar që numri i udhëtarëve i cili po rritet, gjithashtu të ketë edhe bileta sa më të lira, në mënyrë që qarkullimi të jetë sa më i përballueshëm. Kjo në përgjithësi është shenjë se qytetarët tanë udhëtojnë më shumë dhe mërgata jonë po e viziton më shpesh vendlindjen, por edhe se numri i turistëve po shtohet. Andaj është e domosdoshme që të kemi edhe në të ardhmen zhvillime e ngjarje sikurse kjo sot”, tha ai.
Përfaqësuesi i Wizz Air, Andras Szabon, tha se baza e re në Prishtinë do të nisë operimin nga nëntori i vitit 2026, ndërsa kompania do të vendosë një avion Airbus A321neo.
“Lajmi është se Wizz Air do të hapë një bazë të re në Prishtinë, duke filluar nga nëntori i vitit 2026. Ne do të vendosim këtu një avion Airbus A321neo, gjë që do të krijojë 40 vende të reja pune për qytetarët e Kosovës. Jemi të lumtur që nuk do të jemi më vetëm një kompani që fluturon drejt aeroportit dhe largohet, por do të jemi të pranishëm këtu, do të kemi avionin të bazuar në Prishtinë, do të punësojmë staf lokal dhe do të ofrojmë një rrjet shumë më të pasur fluturimesh përmes këtij investimi. Ky është një investim me vlerë rreth 100 milionë dollarë, që përfshin sjelljen në Kosovë të një avioni Airbus A321neo”, tha ai.
Szabon njoftoi edhe për zgjerimin e rrjetit të fluturimeve, me linjë të re drejt Bruksel Charleroi-t tri herë në javë dhe drejt Karlsruhe/Baden-Baden katër herë në javë. Ai tha se do të ketë fluturime të përditshme drejt Bazelit, ndërsa do të rritet edhe frekuenca e linjës Dortmund-Prishtinë.
“Një linjë e re drejt Bruksel Charleroi-t, tri herë në javë. Do të fluturojmë drejt Karlsruhe/Baden-Baden katër herë në javë. Do të fluturojmë gjithashtu drejt Zvicrës me tarifa shumë të përballueshme çdo ditë për në Bazel, dhe gjithashtu po rrisim frekuencën e një prej linjave më të njohura, Dortmund-Prishtinë, duke filluar nga ky dimër. Pra, po sjellim tri linja të reja, të cilat do ta çojnë portofolin tonë në gjithsej nëntë linja, dhe po rrisim frekuencën në një numër destinacionesh nga vendi”, tha ai.
Ndërkaq, drejtori i Aeroportit të Prishtinës, Süreyya Gökhan Açıkgöz, tha se hapja e bazës së Wizz Air paraqet një angazhim afatgjatë dhe mundësi të reja për rritjen e kapaciteteve dhe lidhjeve ajrore të Kosovës.
“Ky është një moment i rëndësishëm, një arritje që ka rëndësi jo vetëm për aeroportin tonë, por edhe për Republikën e Kosovës dhe për të ardhmen e lidhjes së vendit tonë me Evropën dhe botën. Kjo është shumë më tepër sesa ardhja e një avioni të ri. Është një shprehje e qartë e besimit në Kosovë, në qytetarët tanë, në tregun tonë dhe në mundësitë që na presin në të ardhmen”, tha ai.
“Hapja e një baze të një kompanie ajrore përfaqëson një angazhim afatgjatë. Ajo sjell rritje të kapaciteteve, përmirësim të lidhjeve ajrore, mundësi të reja për pasagjerët tanë dhe potencial për të kontribuar në mënyrë domethënëse në zhvillimin e turizmit, tregtisë, investimeve dhe ekonomisë. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, synimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë: të shërbejmë si një portë e besueshme hyrëse për Kosovën dhe të vazhdojmë të forcojmë lidhjen e vendit tonë me Evropën dhe më gjerë”, tha ai.
