Haxhiu në NATO takon Burcu Sanin, kërkon thellim të bashkëpunimit me Aleancën

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar takim në selinë e NATO-s në Bruksel me zëvendësndihmësen e Sekretarit të Përgjithshëm për Operacione, Burcu San, ku kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Aleancës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.

Haxhiu ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë mirënjohje për NATO-n dhe besim të madh në të, ndërsa ky besim, sipas saj, mbështet edhe synimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës.

“Qytetarët e Kosovës janë mirënjohës ndaj NATO-s dhe kanë besim të madh në të. Mbi këtë besim mbështetet edhe synimi ynë që një ditë të bëhemi pjesë e Aleancës. E falënderova znj. San për kontributin e KFOR-it dhe për bashkëpunimin e tij me institucionet e Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-NATO, me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe nevojën për konsultime më të rregullta politike.

“Krahas punës praktike, duam të kemi edhe konsultime më të rregullta politike. Kosova është e gatshme të japë kontribut edhe më të madh për sigurinë në rajon dhe në Evropë, siç dëshmon edhe mbështetja e saj për Ukrainën”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka theksuar edhe përgjegjësinë e Kuvendit për mbikëqyrjen demokratike të sektorit të sigurisë, duke thënë se në këtë drejtim Kosova ka përfituar nga ekspertiza dhe mbështetja e NATO-s.

Po ashtu, ajo ka njoftuar Burcu Sanin se Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur delegatët e tij për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, përmes së cilës synohet thellimi i bashkëpunimit me parlamentet e vendeve aleate.

“Kosova do të vazhdojë të jetë partnere e përkushtuar dhe e besueshme e NATO-s”, shtoi Haxhiu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër