Gjorgjievski: Në Shkup u zbulua busti i Mahatma Gandit në prani të presidenteve të RMV-së dhe Indisë

Nga D. V.
638 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Shkupit, Orce Gjorgjievski, sot ishte nikoqir i presidentes së Republikës së Indisë, Droupadi Murmu, dhe presidentes së Maqedonisë, Gordana Siljanovska‑Davkova, në ceremoninë solemne të zbulimit të bustit të Mahatma Gandit në Muzeun e Qytetit të Shkupit.

Gjorgjievski i uroi mirëseardhje të përzemërt presidentes Murmu, duke theksuar se vendosja e bustit paraqet një kujtesë të përhershme për vlerat që përfaqësonte Mahatma Gandi – paqen, mosdhunën, lirinë, të vërtetën dhe guximin moral.

Ai nënvizoi se ngjarja ka simbolikë të veçantë, pasi mbahet në Shkup, qytetin e lindjes së Shenjtores Nënë Tereza, duke theksuar se, pavarësisht misioneve të ndryshme jetësore, Gandit dhe Nënës Terezë i bashkojnë vlerat universale të njerëzimit, dashurisë, dhembshurisë dhe kujdesit për të tjerët.

Kryetari kujtoi edhe solidaritetin që bota i tregoi Shkupit pas tërmetit katastrofik të vitit 1963, duke vlerësuar se pikërisht për këtë arsye qyteti edhe sot vazhdon të ndërtojë ura miqësie, respekti të ndërsjellë dhe bashkëpunimi mes popujve.

Sipas Gjorgjievskit, zbulimi i bustit të Mahatma Gandit do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes Maqedonisë dhe Indisë dhe do të hapë mundësi të reja për bashkëpunim në fushën e kulturës, arsimit, shkencës dhe lidhjes mes dy popujve.

Ai theksoi se ky monument i ri do të mbetet simbol i përhershëm i paqes, njerëzimit dhe miqësisë – vlera që i bashkojnë popujt pavarësisht kufijve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër